Ylli i serialit Kardeşlerim dhe Bir Gece Masalı, Su Burcu Yazgı Coşkun, ka surprizuar ndjekësit e saj shqiptarë ditën e sotme me një postim emocionues nga Kosova.
Aktorja 19-vjeçare ka publikuar në “Instastory” një foto të tabelës rrugore që të drejton për në Prishtinë dhe Mitrovicë. Ajo që ka tërhequr më shumë vëmendje është mbishkrimi i saj mbi foto: “Hoooome 🤍” (Shtëpi), i shoqëruar me një zemër të bardhë.
Për ndjekësit e vëmendshëm, ky postim vjen si një konfirmim i deklaratave të saj të përsëritura ndër vite.

Në intervista të mëparshme, Su Burcu ka folur gjithmonë me krenari për rrënjët e saj.
Në disa dalje publike për mediat turke, ajo e ka theksuar qartë origjinën e nënës së saj:
“Mami im është shqiptare. Ajo ka emigruar nga atje drejt rajonit të Detit të Zi në Turqi. Ne i ruajmë traditat shqiptare në shtëpi,” – është shprehur aktorja në të kaluarën.
Madje, ajo ka habitur moderatorët turq kur ka shpjeguar me detaje ushqimet shqiptare që gatuhen në shtëpinë e saj, duke përmendur specifikisht “byrekun me presh” dhe orizin me pulë në furrë, si gatimet e saj të preferuara që e lidhin me kulturën e të parëve.
Me ardhjen e saj sot në Prishtinë, Su Burcu Yazgı Coşkun po vërteton se ato intervista nuk ishin thjesht fjalë, por një lidhje reale me vendin që ajo sot e quan “Shtëpi”.
Burimi: botasot.info


