1
Shkup, 10 dhjetor – Ministria e Ekonomisë në vitin 2012 nuk lëshoi licencë për objektin ku ndodhi zjarri, por për një objekt tjetër në një lokacion tërësisht tjetër në Koçan dhe kjo ndodhi 13 vite më parë. Këtë e theksuan avokatët e ish-ministrit Valon Saraçini, duke shtuar se vetë Ministria atëherë kishte kërkuar nga Inspektorati të kryente kontroll nëse plotësonte kushtet për të marrë licencë për objektin në Koçan, i cili ishte krejtësisht i ndryshëm nga objekti ku ndodhi zjarri.
“Për çfarë akuzohet ish-ministri i Ekonomisë kur në vitin 2012 fare nuk ishte lëshuar licencë për objektin ku 13 vite më vonë ndodhi zjarri. Në vitin 2012 Ministria e Ekonomisë lëshoi licencë për ushtrimin e aktivitetit të kabareve në lokacionin e rrugës “Dimitar Vllahov” pa numër në Koçan, që është një lokacion krejtësisht i ndryshëm nga objekti ku ndodhi ngjarja penale në vitin 2025, e cila është në rrugën “Krizhevska” në Koçan”, tha Daniela Georgijevski, avokate.
“Ajo që është thelbësore dhe e pakundërshtueshme për lidhjen mes licencës së vitit 2012 dhe zjarrit që ndodhi në vitin 2025 është – zjarri ndodhi 12 vite pas skadimit të licencës. Ai ndodhi në një objekt me adresë krejtësisht tjetër nga ajo për të cilën ishte lëshuar licenca. Zjarri ndodhi në një objekt që menaxhohej nga një subjekt juridik tjetër nga ai që kishte kërkuar licencën në vitin 2012”, deklaroi Tatjana Popovski Bulloski, avokate.
Në fjalët hyrëse, Elenko Millanov, avokat i ish-ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, theksoi se ministri nuk kishte nënshkruar licencat, por ishte përdorur fakssimili i tij, dhe madje edhe për licencën e fundit ai nuk ishte në vend.
ELENKO MILANOV – AVOKAT
“Nuk ekziston asnjë nënshkrim i licencës nga Kreshnik Bekteshi. Autorizimet për përdorimin e fakssimilëve ekzistojnë në mënyrë të rregullt sipas dispozitave ligjore dhe janë caktuar persona të veçantë që në periudha të caktuara kishin autorizim të përdorin atë fakssimil”, tha Elenko Millanov.
Në seancën e sotme fjalët hyrëse i dhanë edhe ish-drejtorët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Shaban Saliu, Adnan Xhaferoski, Bekim Maksuti, si dhe Xhevat Selami, respektivisht mbrojtësit e tyre, të cilët theksuan se janë të pabazuara në akuzë dhe nuk kanë pasur ndikim mbi tragjedinë.
Burimi: zhurnal.mk

