Gjatë natës dhe herët në mëngjes, policia ka kryer bastisje në disa lokacione në mbarë vendin, duke ndaluar më shumë se dhjetë persona. Midis tyre edhe një ish-drejtor, një person që ishte i afërt me strukturat e BDI-së, jozyrtarisht mësohet se bëhet fjalë për ish drejtorin e Drejtorisë së Librave Amë, Bujar Dardhishta,kuadër i BDI-së, njofton ALSAT.
Operacioni filloi gjatë natës midis 17 dhe 18 dhjetorit 2025 nga Departamenti për Shkatërrimin e Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Prokurorin Publik për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Sipas informacioneve të deritanishme, bëhet fjalë për shkatërrimin e një grupi të organizuar kriminal të dyshuar për krime në fushën e korrupsionit dhe krimit ekonomik.
Me urdhër të gjykatës u kryen bastisje në disa vende në Shkup dhe Kumanovë, jozyrtarisht gjatë bastisjeve, janë gjetur dhe sekuestruar para të gatshme në valuta të ndryshme, telefona celularë, laptopë, hard-disqe, si dhe dokumentacion tjetër përkatës.
Për momentin, sipas informacioneve jozyrtare, bastisjet janë duke u zhvilluar edhe në dy subjekte juridike në zonën e Shkupit dhe Kumanovës.


