Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton opinionin publik se të premten, në orën 18:17, pesë anëtarë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) në komunën e Ferizajt janë përfshirë në një aksident trafiku, derisa ishin të angazhuar në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare, në kuadër të procesit zgjedhor.
KQZ thotë se gjendja e tyre është e rëndë dhe po trajtohen në QKUK.
“Sipas informacioneve të para, gjendja shëndetësore e katër prej tyre është e rëndë dhe aktualisht po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Për detaje të mëtejshme lidhur me gjendjen e tyre, rekomandojmë të kontaktohen institucionet shëndetësore përkatëse. Pesë zyrtarët e përfshirë në këtë ngjarje ishin të angazhuar me përkushtim të lartë në përmbylljen e procesit zgjedhor në komunën e Ferizajt, i cili u mbajt më 12 tetor në të gjithë vendin“, vijon njoftimi.
Tutje, thuhet se në këto momente të vështira, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh shqetësimin e thellë për këtë ngjarje dhe lutet për shërimin sa më të shpejtë të tyre.
“Mendimet dhe përkrahja jonë janë me anëtarët e KKZ-së në Ferizaj dhe me familjet e tyre”.
Burimi: botasot.info


