Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, rreth orës 22:30, në vendin e quajtur SMT. Viktima, Vasillaq Kallojeri, 59 vjeç, ishte duke ecur në këmbë kur u përplas nga një motoçikletë, drejtuesi i së cilës u largua nga vendngjarja menjëherë pas aksidentit.
I lënduari u transportua me urgjencë në Spitalin e Sarandës, ku ndodhet aktualisht nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Qarkullimit Rrugor të Sarandës mbërritën në vendin e aksidentit dhe nisën hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Përmes veprimeve operative, u bë e mundur identifikimi i motoçikletës së përfshirë në aksident, një “Dayang” me targa BI024.
Pas disa orësh kërkimi, policia arrestoi drejtuesin e mjetit, Nikolla Xhollo, 62 vjeç, banues në fshatin Dërmish, bashkia Finiq.
Ai u shoqërua në Komisariatin e Policisë dhe u arrestua për dy vepra penale: “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
Burimi: botasot.info


