Agjencia e Inteligjencës nuk kishte informacione që do të tregonin për kërcënime apo rreziqe të sigurisë në momentin e hyrjes së ALTA Bankës në Maqedoninë e Veriut, të cilat do të kërkonin njoftimin e krerëve të shtetit.
Kështu deklaroi drejtoresha e Agjencisë së Inteligjencës, Gabriela Jakovleva, gjatë seancës mbikëqyrëse në Kuvend, ku po shqyrtohen zhvillimet lidhur me ALTA Bankën.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, Jakovleva tha se para se ndonjë informacion t’u përcillet institucioneve kompetente, ai kalon nëpër një proces të hollësishëm verifikimi, vlerësimi të besueshmërisë dhe kontrolli të burimeve.
Ajo theksoi se në rastin konkret nuk ishin plotësuar kushtet për njoftimin e detyrueshëm të krerëve të shtetit.
E pyetur nga deputetja e LSDM-së, Slavjanka Petrovska, nëse Agjencia kishte informacione për kontakte të personave nga politika, biznesi apo mediat me Davor Macurën lidhur me ALTA Bankën, Jakovleva u përgjigj se nuk disponojnë informacione konkrete për aktivitete të tilla.
Ajo shtoi se Agjencia bashkëpunon dhe koordinon aktivitetet me institucionet e sigurisë në vend dhe me partnerët ndërkombëtarë.
Jakovleva rikujtoi se Agjencia e Inteligjencës nuk ka kompetenca ekzekutive, por merret me mbledhjen, analizimin dhe vlerësimin e informacioneve, si dhe me paralajmërimin e hershëm të institucioneve përgjegjëse.
Duke folur për gjendjen e përgjithshme të sigurisë, ajo tha se Agjencia përcjell zhvillimet që lidhen me luftën në Ukrainë, situatën në Lindjen e Mesme, krizat politike rajonale, ndikimet e huaja, kërcënimet hibride, terrorizmin, sigurinë kibernetike dhe sigurinë energjetike e ekonomike.
Sipas saj, shkëmbimi i informacioneve me NATO-n dhe shërbimet partnere është i vazhdueshëm dhe paraqet një element kyç për informimin në kohë të institucioneve shtetërore.
Burimi: lajmpress.org



