Afrim Krkuti, është bartës i listës së këshilltarëve të koalicionit VLEN për Dibrën. Për zyrtarizimin e tij ka njoftuar ai vetë në një postim në Facebook.
“Nga sot edhe zyrtarisht jam bartës i listës së koalicionit VLEN – Dega Dibër për zgjedhjet lokale 2025. Sinqerisht nuk e prisja këtë vlerësim e mirënjohje nga Fisniku dhe unanimiteti i koalicionit, që pikërisht mua të më besohet detyra për të udhëhequr karvanin e këshilltarëve të kësaj fryme të re që kërkon ndryshim rrënjësor në çdo aspekt të funksionimit, menaxhimit dhe të ardhmes së Dibrës”, tha Krkuti.
Ai theksoi se përgjegjësinë e ka pranuar “pa hezitim”, duke u mbështetur në parimin se “djersa, gjaku dhe loti janë të shenjta dhe kurrsesi nuk duhet të shkelen”.
Krkuti shtoi se bashkë me qytetarët do të hartojnë projekte konkrete për çdo lagje dhe mahallë të Dibrës.
“Do të trokasim derë më derë të shtëpive tuaja, do të kërkojmë përkrahjen tuaj, por po aq do të dëgjojmë idetë, sugjerimet dhe udhëzimet tuaja”, tha ai.
Duke paraqitur vizionin e tij, bartësi i listës së VLEN-it u zotua për një qytet që do të ofrojë kushte më të mira për të gjithë:
“Një Dibër me fëmijë të lumtur,
-një rini që ka mundësinë të shprehë kapacitetet e saj, të edukohet e të ecë drejt suksesit,
-një Dibër me prindër krenarë që i kanë fëmijët pranë,
-një Dibër simbol të pastërtisë, mikpritjes, trimërisë dhe besnikërisë,
-një Dibër shembull të bashkëjetesës etnike e fetare,
-një Dibër ku do të jetohet me dinjitet dhe mirëqenie.”
Në fund, Krkuti shprehu falënderim për liderin e VLEN-it në Dibër, Fisnikun, si dhe për të gjithë anëtarët e koalicionit që e mbështetën.
“Na priftë e mbara në këtë rrugëtim të përbashkët! Dibra me Fisnikun, VLEN për Ndryshimin”, përfundoi ai.
Burimi: alfax.mk


