Aeroporti i Vlorës nuk do të mund të nisë fluturimet këtë verë çka ka bërë që ndikimi i parë të jetë anulimi i kontratave turistike që agjencitë nordike kishin me tur-operatorët shqiptarë.
Bëhet fjalë për ato kontrata të formës “allotment” pra ku ka rezervim paraprak të dhomave por pa pagesa që kryesisht ishin në rajonin e Vlorës. Autoritetet iu kanë komunikuar këtë javë tur-operatorëve se hapja e aeroportit është e pamundur të bëhej pasi ende nuk ka arritur të marrë certifikimin.
I kontaktuar nga “Monitor” Elvis Kotherja i themelues i “Elite Travel Group & Elite Hospitality” konfirmoi se janë anuluar fluturimet e nordikëve që do të vinin në Vlorë por se lajmi i mirë është që Shqipëria vijon të mbetet në kërkesat e tyre si destinacion për vitin tjetër.
“Në fakt na është konfirmuar që Aeroporti i Vlorës nuk mund të hapet sepse ende nuk kanë përfunduar gjithë procedura e nevojshme për të hyrë në operim. Infrastruktura aty është gati por ka nevojë për hapa të tjerë që të nisin fluturimet. Lajmi i keq është që nordikët që do të vendoseshin në Vlorë me fluturime nga ky aeroport kanë anuluar për këtë vit. Ishin të paktën 3 chartera në javë. Por lajmi i mirë është që kemi negociuar që Shqipëria të mbetet në listën e destincioneve për vitin e ardhshëm dhe kemi marrë garancinë që do të jenë 5 chartera në javë pra respektivisht dy nga Norvegjia, një nga Finlanda, një nga Suedia dhe një nga Danimarka” tha z.Kotherja.
Ky është vit i dytë që turizmi vuan pasojat e një Aeroporti që premtohet se do të hapet dhe nuk finalizohet. Edhe vitin e shkuar u përsërit e njëjta situatë ku charterat me turistë të planifikoheshin të uleshin në Vlorë në fakt u riskeduluan për ulje në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe më pas me transferta me autobusë për në Vlorë. Edhe këtë vit tuoperatorët konfirmuan se kishin kontrata me garanci me agjenci të huaja për ulje nga Vlora dhe një pjesë e hoteleve kishin marrë disa këste si pagesa paraprake. Mos-hapja e aeroportit duket se do të jetë një tjetër “dhimbje” koke për turizmin.
Çfarë po ndodh me Aeroportin
Aktualisht dy aksionerët kryesore të konsorciumit që mban kontratën e aeroportit janë në një betejë ligjore me një sërë arsyesh komplekse teksa vetë qeveria ka qenë vëzhguese e kësaj situate. Më herët aksioneri 2A Grup që ka aktualisht administrimin e shoqërisë tha se synonte që fluturimet të nisnin në muajin qershor edhe pse burime pranë Ministrisë së Infrastrukturës i thanë “Monitor” se ky afat ishte i pamundur dhe se kompania kishte kërkuar shtyrje të afatit deri në shtator.
Burimi: botasot.info


