Një valë e re përkrahësish i është bashkangjitur koalicionit qeveritar VLEN, këtë herë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim. Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka njoftuar se mbrëmë mbi 40 aktivistë të Forumit Rinor dhe të nëndegës së BDI-së në lagjen Teqe të Tetovës janë distancuar publikisht nga partia e tyre dhe i janë bashkuar VLEN-it.
Sipas Azizit, ky është vetëm fillimi i një procesi që po ndodh prej kohësh në heshtje, por që tani po merr formë publike dhe masive.
“Ky trend i kalimit masiv nga BDI në VLEN ka nisur më herët, por çdo ditë e më shumë, për shkak të politikave manipuluese dhe destruktive të BDI-së, anëtarë të saj po kërkojnë një alternativë të re,” ka shkruar Azizi.
Ai gjithashtu ka theksuar se shumica e të larguarve e mbështesin haptazi punën e kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami, veçanërisht për transformimin e qytetit, që sipas tyre është dëshmi e një qeverisjeje ndryshe. Azizi paralajmëron se ky nuk do të jetë një rast i izoluar.
“Ditëve në vijim do të ketë vërshime të reja nga çdo nëndegë e BDI-së në Tetovë që do t’i bashkohen VLEN-it. Kjo është vetëm maja e ajsbergut – fillimi i rrënimit të plotë të BDI-së në Pollog,” ka shkruar më tej ai.


