Ish-deputeti Adem Salihaj vlerëson si të vonuar heqjen e pjesës më të madhe të masave të BE-së ndaj Kosovës, duke theksuar se Bashkimi Evropian gjithmonë ka dënuar viktimën, jo agresorin.
Ai kritikon kushtëzimet e BE-së për zgjedhjet dhe transferimin e pushtetit në komunat veriore, si dhe vonesat në liberalizimin e vizave, ndërsa Serbia sipas tij nuk është ndëshkuar për veprimet e saj destabilizuese.
Postimi i plotë:
Heqja e pjesës më të madhe të masave nga BE ndaj Kosovës, është lajmë i mirë, por edhe i vonuar. Së pari, vendosja e tyre qe shumë e padrejtë. Si gjithëherë, BE e dënoi viktimën, jo agresorin. Së dyti, i vendosi kushte, sërish viktimës, duke e kushtëzuar heqjen e tyre me mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore. Kur u mbajtën zgjedhjet në mënyrë të rregullt e pa probleme, nuk iu përmbajt qëndrimit, por vendosi kushtin tjetër-transferimin e qetë të pushtetit. Kur u bë edhe transferimi i qetë i pushtetit, përsëri nuk e bëri heqjen e plotë të masave. Pra, BE në vazhdimësi, po tregohet joparimore dhe e padrejtë ndaj Kosovës.
Këto veprime të BE-së nuk janë të reja. Nësoj veproi për liberalizimin e vizave, duke e kushtëzuar me votimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.
Kur u votua në Kuvend kjo marrëveshje, përsëri nuk e bëri liberalizimin e vizave, duke e zhagitur këtë proces edhe disa vite.
Në anën tjetër, Serbia, pavarësisht akteve terroriste ndaj Kosovës dhe shumë veprimeve për destabilizimin e Kosovës dhe gjithë rajonit, asnjëherë nuk u penalizua dhe nuk u vendos asnjë masë ndaj saj.
Burimi: botasot.info


