Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar deputetët dhe zyrtarët që kundërshtojnë marrëveshjen për presidentin se veprimet e tyre mund ta dëmtojnë partinë dhe ta fuqizojnë politikisht Albin Kurtin.
Abdixhiku tha se LDK-ja nuk duhet të hyjë në një cikël tjetër zgjedhor pa pasur një zgjidhje konkrete për krizën institucionale. Sipas tij, edhe pas zgjedhjeve partitë do të detyroheshin të uleshin me subjektin që siguron numrin më të madh të votave.
Ai u bëri thirrje kundërshtarëve të tij brenda partisë që të mos ndikohen nga Baton Haxhiu dhe Berat Buzhala, për të cilët pretendoi se edhe më parë u kanë dhënë këshilla të dëmshme subjekteve dhe politikanëve të tjerë.
Sipas kreut të LDK-së, kundërshtimi ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut dhe dështimi i procesit do t’ia mundësonin Vetëvendosjes që ta rriste mbështetjen, ndërsa LDK-ja do të dilte më e dobët.
Abdixhiku kërkoi që pakënaqësitë personale ndaj tij të mos shndërrohen në vendime që, sipas tij, do ta dëmtonin LDK-në dhe do ta çonin Kosovën në zgjedhje pa një plan për krijimin e institucioneve.
Ai përsëriti se nuk është duke kërkuar pozitë personale dhe se synimi i tij ka qenë arritja e një zgjidhjeje për presidentin, ndërsa LDK-ja të mbetet në opozitë dhe të punojë për konsolidimin e saj.
Burimi: botasot.info

