Mos propozimi si kandidate për presidente nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje dhe pastaj nxjerrja e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit nga ana e presidentes Vjosa Osmani, kanë nxjerrë në pah hatërmbetjet në mes kësaj të fundit dhe kryeministrit Albin Kurtit.
Kryeministri Albin Kurti, nuk e kandidoi Vjosa Osmanin për shkak siç tha ai nuk ishte figurë konsensuale dhe nuk garantonte kuorumin e nevojshëm, ndërsa Osmani qëndronte me ‘deklarimet’ siç tha ajo i ka thënë Kurti se ‘është presidentja më e mirë e shekullit 21 dhe se do ta përkrahte”.
Në anën tjetër deri sa pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Osmanit dhe shpërndarjen e Kuvendit, nga ish partia ku ka qenë Osmani paralajmërojnë ‘bashkim politik’.
“Koha kërkon bashkim. Prandaj, do të nis bashkimin e madh politik e qytetar rreth një projekti të përbashkët. Një projekti që tejkalon secilin prej nesh. Që tejkalon dallimet e vogla, ambiciet e mëdha dhe hidhërimet e së shkuarës. Ato në kohë krizash e përballë fateve të mëdha të së ardhmes, bëhen krejtësisht të parëndësishme” – ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Duke ‘ndezur’ spekulimet për një rikthim të mundshëm të Vjosa Osmanit në LDK, ka ardhur edhe reagimi i deputetit Avdullah Hoti, i cili ka folur rreth dëmeve që i ka shkaktuar Osmani ish- partisë së saj, madje
“Një gjë është e vërtetë, dëmet që i janë shkaktuar LDK-së nga ajo personalisht i kanë kushtuar vendi dhe i kanë kushtuar LDK-së. Pas pesë viteve ende i kemi pasojat e veprimeve të saj. Asaj i ka dhënë LDK-ja gjithçka që mund të ofroi partia apolitike për një anëtar të vetin. E ka kandiduar për kryeministër dhe e ka zgjedhur kryetar të Kuvendit. Veprimet që i ka ndërmarr ajo para 5 viteve janë jashtë çdo etike të sjelljes politike”, është shprehur Hoti.
I pyetur rreth pozicionit të saj në rast të rikthimit të mundshëm, nëse do të ishte kandidate për kryeministre apo kryetare e partisë, Hoti, u shpreh se LDK ka rend shtëpie dhe nuk është çështje e dëshirave.
“Kemi një rend shtëpie nuk është çështje e dëshirave apo presioneve të rrjeteve sociale, ka një rend shtëpie që duhet të respektohet, kemi disa votues besnik që na kanë qëndruar afër në kohë të mira e të këqija, vullnetin e të cilëve duhet ta marrim parasysh”, ka shtuar ai.
Osmani me Hoti jo rrallë herë kanë pasur mos pajtime brenda partisë dhe deklarimi i fundit i Hotit sjellë edhe pyetjet se çfarë mund të ndodhë në LDK në rast të rikthimit të Vjosa Osmanit dhe ‘të pakënaqurve’ për rikthimin e saj.
Analistët politikë thonë se rikthimi i mundshëm i saj është politikisht komplekse dhe medoemos mund të sjellë pakënaqësi brenda partisë.
Osmani me parti e koalicion me LDK-në?
Analisti politik, Nexhat Haziri, thotë se rikthimi i mundshëm i Vjosa Osmanit në LDK do të ishte një lëvizje politike komplekse.
Sipas tij, do të mbetej të shihej se sa mund të adaptohej Osmani në LDK dhe me raportet me zyrtarët tjetër të LDK-së.
“Përpos kësaj deklarate të z. Abdixhiku për një bashkim siç e quan ai të djathtës, është pak herët të flitet për suksesin e saj, deri sa nuk kemi parë ndonjë lëvizje apo veprim në këtë drejtim. Natyrisht se kjo nënkupton edhe kthimin e Vjosa Osmanit në LDK, që do të ishte një lëvizje politike komplekse, kur kihet parasysh edhe një jo stabilitet të brendshëm në LDK, sidomos pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe mbajtjes së kuvendit të saj, se sa mund të adaptohej Vjosa Osmani në LDK dhe raportet që do të ndërtoheshin me zyrtar të tjerë të LDK-së që nuk e shohin si pozitive kthimin e saj të cilën po ashtu e shohin si fajtore për rënin e LDK-së dhe përçarjen e partisë në vitin 2021, pra bazuar edhe në deklaratën të cilës po i referoheni ju, atë të ish-kryeministrit Avdullah Hotit, tash deputet i LDK-së”, deklaron Haziri.

Sipas tij, do të ishte më e realizuar formimi i një subjekti politik dhe në rast se shkohet në zgjedhje të parakohshme atëherë të ketë një koalicion me LDK-në.
“Ajo që për mendimin tim do të ishte me e realizuar dhe më pragmatike, do të ishte formimi i një subjekti politik, fillimisht si iniciativë nga zonja Osmani pas lënies së postit të presidentes dhe në rast se shkohet në zgjedhje të parakohshme, të ketë një koalicion me LDK-në, e që po shihet se kjo është edhe frika e Kurtit, por që do të shënonte një ngritje të vet LDK-së , e jo drejtpërdrejti të kthehej në LDK, pasi do të mund të shkaktonte tronditje të brendshme në këtë parti”, shton analisti.
Osmani ishte anëtarësuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës në vitin 2006, në fillim u angazhua në strukturat politike dhe programore të partisë, veçanërisht në çështjet juridike dhe kushtetuese.
Pastaj, në vitin 2011 Osmani u zgjodh për herë të parë deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, pastaj ishte një ndër figurat më të dukshme në Kuvend nga kjo parti, kurse në vitin 2019 u zgjodh kandidate për kryeministre në këtë parti.
Kurse në vitin 2020 filloi përplasja brenda partisë, që pasoi me largimin nga partia në vitin 2021 dhe krijimin e listës “Guxo.
Së bashku me këtë listë garuan në zgjedhjet e vitit 2021, ndërsa më vonë u zgjodh presidente.
Tensionet e mundshme brenda LDK-së
Edhe analisti Eduard Gashi, konsideron se një skenar i rikthimit të Osmanit në LDK do të ishte politikisht kompleks.
Sipas tij, nëse një ditë do të kishte një rikthim simbolik ose politik në familjen e saj të parë politike, roli i saj do të ishte më shumë strategjik sesa organizativ – si figurë unifikuese
“Deklarata e Lumir Abdixhikut për “bashkimin e madh politik e qytetar” mund të lexohet në disa nivele. Në planin strategjik ajo reflekton një përpjekje të LDK-së për t’u rikthyer si një qendër gravitacioni në politikën kosovare, duke tejkaluar fragmentimin e viteve të fundit dhe duke rikthyer figurat, votuesit dhe energjinë politike që dikur e bënin këtë parti boshtin kryesor të skenës politike. Në këtë kuptim, interpretimi se kjo mund të hapë derën edhe për rikthimin e Vjosa Osmanit nuk është i pabazë, megjithëse një skenar i tillë do të ishte politikisht kompleks. Osmani sot është presidente e Republikës dhe pozicioni i saj institucional kërkon një distancë formale nga partitë, por në plan afatgjatë ajo mbetet një figurë që buron politikisht nga LDK-ja dhe gëzon një kapital të konsiderueshëm elektoral. Nëse një ditë do të kishte një rikthim simbolik ose politik në familjen e saj të parë politike, roli i saj do të ishte më shumë strategjik sesa organizativ – si figurë unifikuese ose si një profil që i jep LDK-së peshë në konkurrencën me forcat tjera”, deklaron Gashi.

Ai e sheh të natyrshme idenë se rikthimi i saj mund të prodhojë rezerva ose pakënaqësi në disa qarqe.
“Megjithatë, reagimi i Avdullah Hotit pasqyron tensionet e pashëruara brenda partisë. Kur ai flet për “rend shtëpie”, ai në thelb po artikulon një argument klasik të partive tradicionale: se stabiliteti institucional dhe disiplina organizative janë më të rëndësishme sesa rikthimi i figurave që në një moment janë përplasur me strukturën. Për një pjesë të anëtarësisë së LDK-së, episodi i ndarjes me Osmanin nuk është vetëm një çështje personale, por një plagë politike që lidhet me periudhën më të turbullt të partisë. Prandaj është e natyrshme që një ide e rikthimit të saj mund të prodhojë rezerva ose pakënaqësi në disa qarqe, veçanërisht tek ata që e shohin atë periudhë si një sfidë ndaj autoritetit të brendshëm të partisë”, shprehet analisti.
Në fund, ai shton se thirrja e Abdixhikut mund të interpretohet si një përpjekje për të zgjeruar horizontin e LDK-së.
“Megjithatë, thirrja e Abdixhikut duket të synojë diçka më të gjerë sesa një rikthim individual. Ajo mund të interpretohet si një përpjekje për të zgjeruar horizontin e LDK-së drejt figurave të reja, intelektualëve publikë, profesionistëve dhe ish-politikanëve që në vitet e fundit kanë qëndruar në periferi të politikës aktive. Në një skenë ku elektorati kosovar po kërkon gjithnjë e më shumë kombinimin e përvojës institucionale me freskinë politike, një strategji e tillë mund ta pozicionojë LDK-në si një platformë më të gjerë qendrore, e aftë të thithë energji të ndryshme shoqërore. Në fund të fundit, sfida reale për Abdixhikun nuk është vetëm të rikthejë individë të njohur, por të krijojë përshtypjen se LDK-ja po hyn në një fazë të re – një parti që ruan traditën e saj rugoviane, por që njëkohësisht kërkon të rindërtojë besimin politik në një epokë të re të konkurrencës dhe pluralizmit në Kosovë”, përfundon Gashi.
Burimi: botasot.info

