Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka hapur sonte zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor.
Gjatë evenimentit në kryeqytet, kandidati për deputet nga radhët e kësaj partie, Lahi Brahimaj, shkroi në Facebook se “fitore e madhe po na pret”, duke iu referuar listës së AAK-së, ku numri për votim është 129.
Brahimaj theksoi përkushtimin e partisë për të qëndruar pranë qytetarëve dhe për të realizuar objektivat e programit qeverisës.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë hapjes së fushatës shpalosi pikat kryesore të programit, duke përqendruar vëmendjen te rritja e pagave dhe pensioneve, mbështetja për sektorin privat dhe kthimi i investimeve në vend. Ai theksoi gjithashtu fuqizimin e grave në biznes dhe punësim, si dhe sigurimin e një politike fiskale më të favorshme për zhvillimin ekonomik.
“Shtylla e dytë e programit tonë është rritja ekonomike. Do të aktivizojmë potencialin që ka Kosova për zhvillim dhe kthimin e investimeve në vend, mbështetje për bizneset e reja dhe gratë në punësim”, tha Haradinaj.
Sa i përket sigurisë, kryetari i AAK-së deklaroi se Kosova do të vazhdojë të konsolidojë kapacitetet e saj, duke përfshirë ushtrinë dhe policinë, dhe se rruga drejt anëtarësimit në NATO mbetet prioritet i partisë.
Në postimin e tij në Facebook, Brahimaj bëri thirrje që qytetarët më 28 dhjetor të votojnë për listën e AAK-së, duke theksuar se partia do të vazhdojë të qëndrojë pranë familjeve, pensionistëve dhe të gjithë qytetarëve që kontribuojnë për zhvillimin e vendit.
Burimi: botasot.info


