Liderët politikë për ҫdo mosmarrëveshje politike, i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të nxjerrë përfundime. Kushtetuesja u ‘përdor’ edhe kësaj radhe nga Presidentja dhe Kuvendi si përpjekje për të dalë nga ngërҫi politik.
Ajo fillimisht caktoi një afat prej 30 ditësh që deputetët të arrijnë të konstituojnë Kuvendin, mirëpo as gjatë asaj periudhe deputetët nuk sollën rezultat.
Pas asaj date, të 26 korrikut, e deri më 8 gusht, Kushtetuesja ndaloi ҫdo veprim të të zgjedhurve të popullit për të marr më pas një vendim të ri.
Nuk është hera e parë që deputetët dhe krerët e shtetit i drejtohen Kushtetueses për vendime të ndryshme. Duke qenë kështu, a mund të thuhet se po përdoret Gjykata Kushtetuese si ‘instrument’ i betejave politike?
Lidhur me këtë ҫështje, njohësit e ligjeve kanë deklaruar se, opozita e ka përdorur si mjet të vetin këtë gjykatë. Kështu, profesori dhe njohësi i ҫështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se të dyja palët pozitë dhe opozitë po luftojnë kundër njëra-tjetrës përmes Kushtetueses.
Burjani: Gjykata po vepron si një institucion ndërmjetës për të treguar se kush ka të drejtë, ana tjetër po mbetet në errësirë
“Opozita e ka përdorur si mjet të vetëm dërgimin e çdo çështjeje në Gjykatë – ligjet, vendimet e qeverisë, ndërkohë edhe Vetëvendosje, pothuajse. Të dy palët po luftojnë njëra kundër tjetrës, në dëm të qytetarëve, përmes Gjykatës, për të kuptuar se kush ka të drejtë e kush jo”, vlerëson ai.

Tutje, profesor Burjani thotë se pasojat dhe vuajtjet po i përjeton populli në tërësi, veçanërisht në këtë situate, biznesi privat në Kosovë, arsimtarët, pensionistët, punëtorët e sektorit privat dhe ndërmarrjet publike.
“Ndërkohë që Gjykata po vepron si një institucion ndërmjetës për të treguar se kush ka të drejtë, ana tjetër po mbetet në errësirë: ekonomia e varfëruar, shporta gjithnjë e më e cekët e qytetarëve, të rinjtë që po ikin çdo tre muaj drejt vendeve evropiane për të punuar, studentët që po shkojnë deri në Poloni për punë sezonale”, tha ai.
Ai thotë se gjyqtarët e votuar politikisht po ndihmojnë herë pozitën e herë opozitën.
“Pozita dhe opozita kanë kohë të mjaftueshme, por sikur gjyqtarët e një gjykate të votuar politikisht, edhe ata tashmë po i ndihmojnë herë pozitës, herë opozitës – e ndonjëherë heshtin. Ku mbeti profesionalizmi?”, vlerëson Burjani për ‘Bota sot’.
Bajraktari: Kjo nënkupton ngarkesë për Gjykatën
Po ashtu, për të njëjtën ҫështje ka folur edhe avokati i njohur Ardian Bajraktari. Ai thotë se, krizat dhe rrethanat e natyres politike duhet zgjidhur nga politika dhe politikanët, nga ata të cilët kanë përgjegjësi.

“Dërgimi i rasteve të shumta të natyrës politike, madje edhe në formë të pyetjeve në Gjykatën Kushtetuese e ngarkon këtë të fundit tej mase, pavarësisht faktit se ka disa vite kur Gjykata Kushtetuese nuk merret me trajtimin e rasteve në formë pyetjesh”, thotë Bajraktari.
Avokati thotë se, kjo nënkupton ngarkesë për Gjykatën, marrë parasysh fakti se Gjykata Kushtetuese merret me shqyrtimin edhe të lëndëve tjera, me theks të veçantë kërkesat e natyrës individuale nga palët pas shterrimit të mjeteve juridike në instancat e rregullta gjyqësore.
“Por, është e rëndësishme dhe esenciale që vendimet e Gjykatës Kushtetuese të zbatohen, pavarësisht mungesës së pasojave direkte për palët”, thotë Bajraktari për ‘Bota sot’.
Burimi: botasot.info


