1
Shkup, 21 dhjetor – A po vendos Komisioni Evropian pezullim të plotë të programit IPARD III, me ç’rast do të bllokoheshin 97 milionë euro mjete për bujqit? Sipas informacioneve të televizionit Telma, një vendim i tillë negativ është marrë që më 10 dhjetor, ndërsa institucionet vendore janë njoftuar disa ditë më parë.
Megjithatë, Qeveria ka njoftuar se nuk ka pranuar një njoftim të tillë.
“Sipas informacioneve të marra nga institucionet kompetente, deri në këtë moment nuk është dorëzuar asnjë njoftim zyrtar nga Komisioni Evropian për pezullimin e mjeteve nga programi IPARD III”, kanë deklaruar nga Qeveria.
Sipas detajeve që ka siguruar Telma nga njoftimi drejtuar Ministrisë përkatëse nga protokolli i Komisionit Evropian, thuhet se: “Për shkak të përfshirjes së drejtorit në një rast korrupsioni, dhe pavarësisht se koordinatori kombëtar ka ndërmarrë masa përkatëse, Komisioni Evropian vendos pezullimin e të gjitha pagesave ndaj Maqedonisë së Veriut.”
Shuma e përgjithshme e Programit IPARD III është 97 milionë euro fonde evropiane dhe 31 milionë euro fonde kombëtare. Periudha e zbatimit ka filluar në vitin 2023 dhe zgjat deri më 31 dhjetor 2030.
Sipas të dhënave që më 27 nëntor i prezantoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, nga gjithsej 453 kontrata të lidhura, 289 tashmë janë paguar, 111 përfitues nuk kanë dorëzuar kërkesa për pagesë, ndërsa 53 kontrata janë në pritje të pagesës së mjeteve.
Aktualisht, Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi drejtohet nga Daniela Rotova–Lazarova, e emëruar nga Qeveria pas arrestimit të paraardhësit të saj, Ilija Stoilev.
Burimi: zhurnal.mk

