Trashëgimia kulturore e Kosovës përbën një nga shtyllat kryesore të identitetit historik, kulturor dhe shpirtëror të vendit. Ajo përfshin monumente arkeologjike, arkitektonike, historike dhe artistike, të cilat kërkojnë mbrojtje, studim dhe menaxhim profesional. Megjithatë, realiteti institucional në Kosovë, veçanërisht në Qendrat Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK), tregon një problem serioz dhe shqetësues: mungesën e plotë të arkeologëve në këto institucione kyçe.
Shtrohet pyetja thelbësore: a i duhen arkeologë Kosovës? Nëse po, atëherë pse QRTK-të, si institucione përgjegjëse për trashëgiminë kulturore në nivel rajonal, nuk kanë të punësuar asnjë arkeolog?
Është e pakuptimtë dhe joprofesionale që deri më sot drejtuesit e QRTK-ve të kenë kërkuar dhe punësuar pothuajse ekskluzivisht arkitektë, duke anashkaluar plotësisht arkeologët. Arkitektura është vetëm një komponent i trashëgimisë kulturore, ndërsa trashëgimia si tërësi është shumë më e gjerë dhe kërkon qasje multidisiplinare.
Një çështje thelbësore mbetet pa përgjigje: si trajtohen artefaktet arkeologjike që zbulohen rastësisht në fshatrat dhe qytetet e Kosovës dhe kush mban përgjegjësi profesionale për to? Aktualisht, Instituti Arkeologjik i Kosovës ka të punësuar vetëm gjashtë (6) arkeologë. Në total, në Kosovë janë të punësuar rreth dymbëdhjetë (12) arkeologë, ndërsa për krahasim, në Serbi janë rreth 220 arkeologë të punësuar në institucione publike.
Edhe më alarmuese është fakti se në asnjë qytet të Kosovës nuk ka arkeologë të punësuar. Kjo do të thotë se çdo ndërhyrje ndërtimore, çdo projekt infrastrukture dhe çdo zbulim i rastësishëm mbetet pa vlerësim profesional. Trashëgimia kulturore nuk është luks, por themel i identitetit dhe zhvillimit kulturor të Kosovës Pasojat e kësaj politike janë humbje të pakthyeshme të dëshmive arkeologjike.
Trashëgimia kulturore nuk është luks, por themel i identitetit dhe zhvillimit kulturor të Kosovës. Politika aktuale e mospërfilljes ndaj arkeologëve, e ndjekur nga Ministria e Kulturës, dëshmon mungesë vizioni dhe përgjegjësie institucionale. Prandaj, ekziston nevoja urgjente që në të gjitha Qendrat Rajonale për Trashëgimi Kulturore – në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan – të punësohet së paku nga një arkeolog si minimum profesional dhe institucional.
Burimi: botasot.info


