46
Shkup, 21 tetor – Rezultati i zgjedhjeve lokale në Kumanovë, ku kandidati shqiptar Selver Ajdini nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) mbeti jashtë balotazhit për vetëm 58 vota, është një pasqyrë e dhimbshme, por njëkohësisht e qartë e gjendjes politike të shqiptarëve në këtë komunë. Ky është një rast që tejkalon kuptimin e thjeshtë të numrave pasi kemi të bëjmë me simptomë të ndarjes, mungesës së strategjisë dhe mbi të gjitha mosbesim të ndërsjellë mes vetë faktorëve politikë shqiptarë, shkruan Zhurnal.
Kumanova qytet që dha leksionin e përçarjes –
Në një garë ku 5.915 vota ishin të mjaftueshme për ta bërë Ajdinin pjesë të balotazhit, fakti që munguan vetëm 58 tregon se jo mungesa e mbështetjes, por fragmentimi ishte problemi themelor. Po të kishte ekzistuar një unitet politik shqiptar qoftë edhe minimal sot në vend të një dueli mes Dimitrievskit dhe Stojkovskit, Kumanova do të kishte një garë ku një kandidat shqiptar do të përfaqësonte potencialin real të komunitetit që përbën mbi një të tretën e popullsisë së komunës.
Nuk është hera e parë që shqiptarët e Kumanovës humbin një mundësi historike për shkak të përçarjes. Që nga pluralizmi e deri më sot, partitë shqiptare në këtë komunë kanë garuar me ego, jo me strategji. Secila kërkon të dëshmojë forcën e vet, duke harruar se vota e shpërdarë në disa subjekte të vogla përfundon si votë e humbur. Rezultati i Ajdinit është dëshmi e qartë shqiptarët kishin potencial për të qenë faktor vendimtar në balotazh, por jo kur secila parti mendon për flamurin e vet, e jo për flamurin e përbashkët.
Dimitrievski dhe paradoksi i mbështetjes shqiptare –
Në zgjedhjet e kaluara, Maksim Dimitrievski e siguroi mandatin e tij të dytë kryesisht falë votës shqiptare. Megjithatë, gjatë viteve të fundit qëndrimet e tij kanë qenë shpeshherë të perceptuara si të ftohta, madje edhe armiqësore ndaj interesave shqiptare. Kjo krijon një paradoks të hidhur shqiptarët e Kumanovës, në vend se të fuqizojnë një përfaqësues të vetin që do të kërkonte të drejtat e tyre, i kanë dhënë mbijetesë një kandidati në raste të caktuara ka ndërtuar karrierën mbi distancimin nga ta.
Në këtë kuptim, zgjedhjet e fundit duhet të shërbejnë si moment reflektimi jo vetëm për partitë shqiptare, por edhe për votuesit, të cilët shpesh mbeten peng të rivaliteteve personale dhe interesave afatshkurtra.
A mund të ndryshojë diçka në zgjedhjet e ardhshme?
Kumanova mund të bëhet shembull i një përmbysjeje politike, por vetëm nëse shqiptarët kuptojnë se bashkimi nuk është luks, është domosdoshmëri. Një kandidat i vetëm, i përzgjedhur përmes konsensusit të subjekteve shqiptare dhe shoqërisë civile, do të kishte jo vetëm legjitimitet, por edhe fuqi reale për të hyrë në garë si faktor politik serioz jo si statistikë dytësore.
Nëse ky mësim nuk mësohet tani, atëherë çdo diskutim për “fuqi politike shqiptare në Kumanovë” do të mbetet thjesht retorikë. Historia e 58 votave do të përsëritet sërish ndoshta me një emër tjetër por me të njëjtin rezultat humbje për shkak të vetvetes.
Kumanova është një pasqyrë e asaj që ndodh shpesh në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut shumë flamuj, por pak strategji. Dhe ndonëse 58 vota duken pak, në të vërtetë ato përfaqësojnë peshën e ndarjes. Nëse shqiptarët e Kumanovës arrijnë të kuptojnë këtë simbolikë, zgjedhjet e ardhshme mund të jenë momenti i kthesës. Në të kundërtën, humbja do të mos jetë më rastësi por mentalitet. /Zhurnal.mk
Burimi: zhurnal.mk


