Një 88-vjeçar nga Struga dyshohet se është mashtruar nga dy persona nga Velesi, të cilët i kanë marrë 300.000 denarë, duke i premtuar se në këmbim do të merrte një shpërblim.
Sipas denoncimit, më 6 gusht, A.S. (67) dhe D.S. (42) dyshohet se e kanë bindur të moshuarin t’u sillte 300.000 denarë, me arsyetimin se paratë nevojiteshin që ai të takonte bashkëshorten e njërit prej tyre, e cila pretendohej se ishte shtetase e huaj.
Në këmbim të shërbimit, 88-vjeçarit i ishte premtuar një shpërblim. Pasi ua dorëzoi paratë, dy personat i lanë si garanci një çantë, duke i thënë se brenda saj ndodheshin rreth 10.000 euro.
Ata më pas u larguan duke i thënë se do të ktheheshin. Pas rreth gjysmë ore pritjeje, 88-vjeçari u kthye në shtëpi dhe hapi çantën.
Brenda saj nuk kishte para. Atëherë ai kuptoi se ishte mashtruar.
Ndaj A.S. dhe D.S. është ngritur kallëzim penal nën dyshimin për veprën penale “mashtrim”, sipas nenit 247 të Kodit Penal.
Burimi: lajmpress.org


