Bilanci i regjimit serb në Kosovë, gjatë luftës së fundit, ngërthen në vete vrasje të shumta, ku nuk janë kursyer as fëmijë, gra e pleq, masakra nga më makabre, dëbim të popullatës dhe përpjekje deri në zhdukje.
Në Kosovë, njësitë policore, ushtarake dhe paramilitare serbe janë kryerëse të rreth 400 masakrave ndaj shqiptarëve. Spastrimi i vazhdueshëm në mënyrën më barbare kulmoi më 15 janar me masakrën e Reçakut, e cila zgjoi edhe faktorin ndërkombëtar. Vrasja e 45 civilëve mori dhenë dhe u quajt krim kundër njerëzimit.
243 civilë të tjerë shqiptarë, një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, më 25 mars 1999, u masakruan në Krushën e Madhe. Një muaj më vonë, forcat serbe filluan një ofensivë të egër në Mejë të Gjakovës, ku vranë e masakruan 376 shqiptarë.
Masakra e Izbicës u krye nga serbët vetëm brenda disa orëve, ku u masakruan barbarisht 147 shqiptarë të moshave të ndryshme. Në Poklek të Drenasit u masakruan 53 shqiptarë të paarmatosur, të cilët u bënë shkrumb e hi për të humbur gjurmët e krimit serb.
Regjimi i Millosheviqit, para gati dy dekadash, kreu edhe masakrën në Burgun e Dubravës, ku serbët vranë 160 të burgosur shqiptarë dhe plagosën mbi 300 të tjerë.
Për këto krime, që kanë dëshmitarë të gjallë, drejtësia nuk dha verdikt, të paktën si mbështetje morale. Janë shumë pak ata që morën një dënim simbolik.
Nga këndvështrimi i njohësve të së drejtës ndërkombëtare, nënvizohet se ekziston një standard i dyfishtë i drejtësisë ndërkombëtare, duke pasur parasysh përmasat e krimeve shtetërore serbe në Kosovë, krahas ndjekjes penale të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, e për këtë një pjesë të fajit e bartin edhe ndërkombëtarët.
“Një pjesë të fajit e ka edhe bashkësia ndërkombëtare, për shkak se deri në vitin 2017 kompetencë ekskluzive për procedimin, gjykimin dhe ndëshkimin e kryerësve të krimeve në Kosovë kanë pasur UNMIK-u e më pas EULEX-i. Përgjegjësi e konsiderueshme u bie atyre, pasi ka pasur raste kur gjykatat tona kanë filluar gjykimin, por kanë ndërhyrë ndërkombëtarët duke thënë se është kompetencë ekskluzive e tyre. Kështu që, në këtë aspekt, një pjesë e fajit për mosndëshkimin e qindra mijëra kryerësve të krimeve të luftës bie mbi ndërkombëtarët”, ka thënë Ismet Salihu, profesor i së Drejtës Penale Ndërkombëtare.
Kosova edhe më tej vazhdon t’i kërkojë të zhdukurit e luftës, ndërkohë që Serbia nuk bashkëpunon për t’i hapur arkivat e shtetit, që do të ishin një hap drejt zbulimit të lokacioneve të varrezave masive. Ajo që dihet deri më tani është se shumica e atyre që kanë kryer krime në Kosovë vazhdojnë të shëtisin lirshëm.
Burimi: botasot.info

