Mesi i marsit shënon fillimin e luftës në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë – sot Maqedonia e Veriut.
Më 14 mars të vitit 2001 u dëgjuan krismat e para të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që gati gjashtë muaj më pas çuan në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo u nxit nga diskriminimi i vazhdueshëm i shqiptarëve atje.
Dy vjet pas çlirimit të Kosovës, shumë ushtarë nga këtu u bën pjesë e radhëve në Maqedoni të Veriut, pothuajse në dizajn e simbol të njëjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Tërë këta muaj ka raportuar nga vendi i ngjarjes për median ndërkombëtare “BBC”, korrespodenti Seladin Xhezairi.
Njëzet e pesë vjet pas, ai kujton për KosovaPress se si u dëgjuan këto krisma armësh në qytet të cilat vinin nga Kalaja e Tetovës.
Xhezairi: Nga Kalaja e Tetovës u dëgjuan breshëri armësh të ushtarëve të UÇK-së
“Po më kujtohet si sot ka qenë një tubim proteste në qytetin e Tetovës në mbështetje të Universitetit të Tetovës të cilin kreu politik maqedonas i atëhershëm e kundërshtonte me vendosmëri. Dhe përderisa oratorët flisnin në sheshin e Tetovës, të thuash në vija ajrore 150, 200 metra më larg, u dëgjuan breshëri armësh dhe kjo ndodhi në kalanë e Tetovës. Me pak fjalë, kur i rikthehem atij momenti, kujtoj se lideri i atëhershëm i Partisë së Prosperitetit Demokratik, Abdurrahman Aliti, një jurist i njohur dhe anëtar i komisionit kushtetues që hartoi kushtetutën e parë të Maqedonisë së pavarur, duke parë se të gjitha amendamentet e palës shqiptare atë botë refuzoheshin, nuk nguroi ta cilësojë atë dokument të sapo miratuar si gjenerator të krizës. Dhe të thuash 10 vjet, një dekadë më pas, ndodhën krismat e para të cilat çuan në arritjen e marrëveshjes së Ohrit, që ishte një kompromis mes palës shqiptare dhe asaj maqedonase”, rrëfen Xhezairi për KosovaPress.
Këto krisma shënuan edhe fillimin e luftës disa mujore mes forcave ushtarake-policore maqedonase dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të prirë nga Ali Ahmeti.
Seladin Xhezairi thotë se atë kohë kishte raportuar për të gjitha zhvillimet nga Likova, Kumanova, në rrafshin e Pollogut dhe Haraçinën e Shkupit.
Xhezairi: Ka pasur konflikte sporadike me viktima nga të dyja palët
“Po konflikti i armatosur ka zgjatur gjashtë-shtatë muaj sa më kujtohet dhe deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, ka pasur konflikte sporadike me viktima të thuash të barabarta nga të dyja palët, si nga pala maqedonase ashtu dhe ajo shqiptare dhe luftimet janë zhvilluar që nga Likova e deri në rrafshin e Pollogut, deri në malësinë e Sharrit. Ndërkohë që dihet se shtabi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ka qenë në malësinë e Tetovës, saktësisht në katundin e Shipkovicës”, tregon ai.
E gjithë kjo lufë u nxit si pasojë e diskriminimit të vazhdueshëm të shqiptarëve atje, thotë historiani dhe profesori universitar, Nuri Bexheti.
Bexheti: Fryma e lirisë së madhe të Kosovës ishte përhapur gjithandej ku ndodheshin shqiptarët
“Shkaqet e luftës, nga këndvështrimi im, janë të thjeshta. Elita maqedone nuk ishte përgatitur dhe meqë kishte pasur një monopol politik pothuajse 100% politik në radhë të parë, ekonomik, kulturor, politika të sigurisë e të tjera e të tjera dhe nuk ishte e përgatitur që duhej të ndajë pushtet edhe me pakica të tjera, rasti konkret me pakicën e madhe shqiptare që gjindej brenda territorit të saj. Këto janë shkaqet. Dhe natyrisht, ajo fryma e lirisë e madhe e Kosovës ishte përhapur gjithandej tek kishin qenë shqiptarët. Dhe ambienti më real, ku ajo frymë e lirisë do zinte vend ishte Republika e Maqedonisë”, shprehet ai.
Në gusht të vitit 2001 u arrit Marrëveshja e Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoninë e atëhershme. Ky dokument i nënshkruar u arrit me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, e cila dha kontribut për zgjidhjen politike të krizës ndëretnike në vendin fqinj.
Gazetari Seladin Xhezairi thotë se përgjatë viteve ka pasur avancim, mirëpo në dy vitet e fundit po vazhdon të jetë temë diskutimi cështja e gjuhës.
Xhezairi: Në dy vitet e fundit janë rihapur çështje që janë menduar se janë të mbyllura
“Situata çfarë ka qenë deri më 2001-shin, nga 91-shi, nga pavarësia e Maqedonisë, e deri në vitin 2024, ka qenë goxha, goxha më e favorshme se ç’është këto dy vitet e fundit dhe kjo për pasojë të asaj që sapo e përmendët edhe ju, të rihapjes së çështjeve për të cilat kemi menduar se janë të mbyllura, të çështjes së përdorimit zyrtar edhe të gjuhës shqipe, të çështjes që lidhet me përdorimin zyrtar të shqipes në nivele, edhe në nivele qendrore, të çështjes së amnistisë së ish-kryengritësve shqiptarë që ka nisma në Gjykatën Kushtetuese dhe të mos flasim edhe për probleme të tjera që kryekëput kanë të bëjnë me shqiptarët e që fatkeqësisht, po them, po ndodhin gjatë këtyre dy viteve të fundit, prej se VMRO-DPMNE-ja erdhi në pushtet dhe përzgjodhi grupimin politik shqiptar VLEN”, thotë ai.
Ish-ushtari i UÇK-së dhe historiani, Nuri Bexheti thotë se elita shqiptare atje duhet të jetë unike.
Bexheti: Elita shqiptare në Maqedoni të Veriut po shajnë njëri-tjetrin
“Elita politike shqiptare mjafton që të jetë unike, mos vetëm mos ta shajë njëri-tjetrin. Këtu duhet të ndalen, domethënë nuk ka nevojë ta shajnë. Ata duhet të thonë kështu: Nëse një parti para rendëse shqiptare ka arritur të arrijë një sukses, duhet t’i njihet. Por nëse nuk ka arritur ta realizojë, nuk duhet të shahet. Por meqë ti ke marrë verdiktin e popullit dhe je përfaqësues i shqiptarëve në institucione, pra nëse nuk e ka bërë vëllai yt, bëje ti dhe të njihet ky meritë ty dhe do të votojmë sa të jesh gjallë. Pra, shumë e thjeshtë kjo. Por fatkeqësisht na ndodh një fenomen i çuditshëm. Në pamundësi shpeshherë për ta realizuar një agjendë që është në interes të të gjithë qytetarëve, por rastin konkret të shqiptarëve të Maqedonisë, ata çfarë bëjnë, e kanë zgjedhur rrugën për ta sharë para rendësin e tyre në pushtetin qendror apo pushtetin lokal”, përfundon ai.
Çështja e gjuhës është gati më e diskutuara në Maqedoni të Veriut kur flitet për të drejtat e shqiptarëve në shtetin shumëkombësh.
Së fundmi, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski e ka nxitur edhe një valë reagimesh nga partitë shqiptare. Kjo, derisa u diskutua për kushtetutshmërinë e sistemit “Safe City” tha se SMS porositë duhet të dërgohen tek qytetarët në maqedonisht e anglisht, por jo edhe në gjuhën shqipe. Për më tepër, tha se kushtetuta e obligon çdo qytetarë që ta njoh gjuhën maqedonase.
Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut i detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve. Këtu bëhet fjalë edhe për gjuhën shqipe. Në Maqedoninë e Veriut me rreth 2 milionë banorë, shqiptarët përbëjnë gati 30 për qind të popullsisë.
Burimi: botasot.info


