Arkitekti Gjon Radovani, Ish-refugjat në ambasadën gjermane, është dëshmitari që e ka përjetuar vetë 2 korrikun, kur u hapën ambasadat në Tiranë. I ftuar në Log. në News24, Radovani u shpreh se sot duket si film, por atëherë ishte luftë për mbijetesë.
Radovani tregoi gjithashtu sakrificën e madhe gjatë atyre ditëve, ku nga njëra anë ishte propaganda që kërcënonte me megafon që të dilnim jashtë, nga ana tjetër vendosmëria jonë për të qëndruar dhe askush nuk e kishte mendjen as tek ushqimi.
Gjon Radovani: “Të flasësh për ato ngjarje, duhet të kthehesh në mendësinë e asaj kohe, sepse duhet të kuptojmë se ishte luftë për mbijetesë të dy palëve. Kjo pasi për njërën palë ishim ne të këqinjtë, ndërsa nga ana tjetër ishin ata. Por për ne ishte e vetmja zgjidhje. Ishim mbi 3 mijë persona në ambasadën gjermane më 2 korrik. Ka qenë një solidaritet mes të gjithëve, edhe pse nuk njiheshim mes njëri-tjetrit.
Nuk e di me ekzaktësi se si ia doli stafi i ambasadës, por kishte një kamionçinë që dilte për me siguri ushqimet e nevojshme. Ishin tetë ditë ku nuk e dinim se çfarë do të ndodhte me ne. Nuk e kishim mendjen tek ushqim, ishim si në një transhe luftimi.”
Burimi: botasot.info


