Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Valon Murtezaj, ka reaguar me një deklaratë të fuqishme drejtuar anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke shprehur shqetësim të thellë për, siç e cilëson ai, “abrogimin e funksionimit demokratik” brenda partisë.
Në një letër të gjatë publike, të cilën e publikoi në Facebook, Murtezaj kritikoi faktin që për 18 muaj me radhë nuk është thirrur asnjë mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, organi më i lartë vendimmarrës ndërmjet Kuvendeve të partisë, duke e cilësuar këtë si shkelje të hapur të statutit dhe të parimeve mbi të cilat u themelua LDK.
Ai ngriti pyetje të ashpra për drejtuesit aktualë të subjektit, veçanërisht në një kohë që vendi përballet me krizë të thellë politike dhe institucionale, duke theksuar se LDK-ja ka përgjegjësi historike për ruajtjen e demokracisë, lirisë dhe funksionimit të shtetit.
Në deklarimin e tij, Murtezaj rikujtoi vizionin e Presidentit Ibrahim Rugova dhe themeluesve të LDK-së, duke bërë thirrje që partia të rikthehet në vlerat e saj origjinale dhe në vendimmarrje të brendshme demokratike, në frymë të përgjegjësisë dhe integritetit politik.
Postimi i plotë
Të nderuara Anëtare dhe Anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Zonja dhe Zotërinj,
Nga data 28 maj 2024 e deri sot, po bëhen 1 vit e gjysëm, apo 18 muaj, që nuk është thirrur, dhe rrjedhimisht nuk është mbajtur asnjë takim i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që në rend të ditës të këtë situatën politike dhe gjendjen e përgjithshme dhe funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Pra, kjo ishte mundësia e fundit që një anëtare apo anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, njerëz të devotshëm të LDK-së e të Kosovës, të mund të kryejnë me përgjegjësi detyrën e vet më madhore, të vendosin përcaktimin e qëndrimeve të LDK-së bazuar në orientimet kryesore politike të LDK-së; dhe sipas rregullit dhe rendit statutar të LDK-së, përmes kontributeve dhe dikutimeve të lira të gjenden dhe ofrohen zgjidhjet më të mira për Lidhjen Demokratike te Kosovës, për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.
Për të mirën e LDK-së dhe të Kosovës, pyetje legjitime sot, të ngritura me brengosje të thellë dhe zemërim janë:
Si është e mundur që kjo të ndodhë?
Pse e bëjnë këtë abrogim, dhe pse e lejojnë dhe praktikojnë këtë, menaxhuesit aktualë të LDK-së?
Për të sqaruar më tej, sipas Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (që është Kushtetuta e LDK-së), është vetëm në autoritetin, dhe vetëm në përgjegjësinë e Këshillit të Përgjithshëm të vendos përcaktimin e qëndrimeve të LDK-së bazuar në orientimet kryesore politike të LDK-së dhe të organeve te saj; si dhe të vendos për çështjet madhore, qoftë për LDK-në si organizatë politike, qoftë për rolin e LDK-së në formimin e institucioneve si Kuvendi dhe Qeveria.
Në ndërkohë, siç e dimë të gjithë, janë mbajtur dy palë zgjedhje, ato nacionale, dhe zgjedhjet lokale (në dy raunde). Zgjedhjet tjera nacionale janë caktuar të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Për më tepër, kriza aktuale politike dhe institucionale, më e rënda në Kosovën e pavarur, dhe pasojat për shtetin e Kosovës tanimë janë fakt. Po bëhet një vit që Kosova nuk ka qeveri efektive, dhe as Kuvend efektiv. Kjo është pasojë e palidershipit politik, si dhe të deficitit të përgjegjësisë dhe patriotizmit në raport me egon dhe profiterizmin vetjak, për t’i dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj më të mirën dhe atë që i duhet, sot dhe në kohët që po vijnë.
Zonja dhe Zotërinj,
më lejoni të sjell ndërmend se, Prijësi Rugova dhe themeluesit, me besim, krijuan dhe ndërtuan Lidhjen Demokratike të Kosovës, në vlerat e paqes, të lirisë dhe demokracisë; krijuan LDK-në si një lëvizje për liri, demokraci, dhe pavarësi; dhe duke qenë të përkushtuar e të vendosur deri në flijim, bashkë me popullin e Kosovës, arritën lirinë dhe e bënë Kosovën shtet, dhe një vend europian. Gjithë së bashku, me ndihmën e vendeve demokratike, Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë europiane, arritën këtë mrekulli (siç e quante Presidenti historik Ibrahim Rugova), duke u angazhuar me bindje, me qartësi dhe ndershmëri. Vizioni i tyre ishte i vërtetë, dhe qëllimet e tyre ishin në shërbim të paqes, dhe të progresit shoqëror e njerëzor.
Prandaj, udhëheqësit dhe politikanët që angazhohen sot në shërbim të qytetarëve, duhet të kuptojnë se:
– ky angazhim është humanist e altruist dhe jo për profiterizëm vetjak e korruptiv; dhe
– në demokraci vendimet merren në forumet e përcaktuara me rregulla dhe norma statutare, dhe jo në forma dhe mënyra dhe lokacione tjera jashtë statutare;
Sot, me dhembshuri dhe indinjatë, mund të shpreh se, demarkacioni ndërmjet vendim-marrjes demokratike dhe asaj autokratike-oligarkike është zhvendosur në favor të kontrastit të demokracisë.
Zonja dhe Zotërinj,
Edhe njëherë, themeluesit e LDK-së dhe Presidenti Ibrahim Rugova e kanë krijuar LDK-në për të qenë forcë politike demokratike që del në ballë për të mirën e lirisë, të demokracisë, dhe të shtetit të Kosovës dhe popullit të saj. Prandaj, sot, për Lidhjen Demokratike të Kosovës, angazhimi primar dhe më i rëndësishëm është të mbetet e vërtetë, intelektuale dhe e patjetërsuar. Kjo është bazamenti, është shpirti, është fryma, është morali dhe etika e çdo qëllimi të qëndrueshëm dhe veprimi që i duhet të ardhmes së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në këtë frymë, shpreh me vendosmërinë më sublime përkushtimin për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë, që janë kopshti ynë i bukur Rugovian.
Demokracia marshon dhe atë nuk mund ta ndalë askush.
Zoti e bekoftë lirinë dhe demokracinë në Kosovën europiane.
Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Burimi: botasot.info


