Kryeministri Edi Rama kujtoi në një ceremoni të posaçme 21 janarin e vitit 2011, ku katër persona mbetën të vrarë në Bulevard gjatë një proteste para Kryeministrisë.
“Për asnjë çast protestuesit nuk tentuan të kapërcejnë gardhin e godinës së Kryeministrisë. Përveç një veture te një derë që u hap nga brenda, si një ftesë në një kurth , askush nga protestuesit nuk bëri asnjë përçapje për të shkelur perimetrin e ashtuquajtur të sigurisë dhe për t’u futur në godinë. Askush nuk provoi praninë e asnjë arme të vetme te protestuesit. Kur protestuesit po largoheshin, tytat e pushkëve u ulën mbi turmën, duke marrë 4 jetë, pasojë fatale e mendjes kriminale, e cila me gjasë nuk deshi ta humbte rastin për t’u treguar kundërshtarëve politikë dhe krejt shqiptarëve se të vret me të vërtetë. Dreqi e di çfarë u tha mendja atyre që e urdhëruan dhe atyre që e ekzekutuan atë krim shtetëror”, tha Rama,.
“Vetëm zoti e di se me çfarë guri në zemër vij për në këtë godinë kur del drita e ditës së 21 janarit. 15 vjet pa drejtësi për 21 Janarin janë 15 vitet e një padrejtësie të madhe jo thjesht për disa, por mbi Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Nuk ka mjaftuar as vendimi rrëqethës i Gjykatës së Strasburgut, që prokurorët specialë të kësaj republike t’ia kishin kërkuar Gjykatës Speciale përgjegjësit për 21 Janarin. Ndërkohë që ne prej plot 6 vitesh u paguajmë rroga ku e ku më të larta se sa vetes dhe Presidentit të Republikës, pa llogaritur heshtjen për gabimet e tyre ndonjëherë shqetësuese”.
Burimi: opinion.al


