Në fjalën e tij në Gjykatën e Lartë për çeljen e vitit të ri gjyqësor, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj u ndal te 10-vjetori i reformës në drejtësi. Ai vlerësoi arritjet e reformës duke u shprehur se i ka bërë qytetarët të besojnë se epoka e pandëshkueshmërisë ka marrë fund.
Njëkohësisht, theksoi se pavarësia e gjyqësorit, si bosh i reformës, shkon përkrah me përgjegjësinë dhe integritetin. Në fund të fjalës së tij, Begaj theksoi mbështetjen e fortë ndaj sistemit gjyqësor.
Hapi i radhës në këtë vit të ri gjyqësor duhet të jetë kalimi nga reforma në drejtësi në drejtësi funksionale, tha Begaj. Ai u ndal edhe te vonesat e sistemit gjyqësor, temë që u prek edhe nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në fjalimin e tij, i cili e veçoi si angazhim. Ndërsa presidenti tha se zvarritja e dosjeve impakton në formë negative.
Ky vit gjyqësor përkon me një moment domethënës: 10-vjetorin e nisjes së reformës në drejtësi, reformës më të thellë dhe më transformuese në historinë institucionale të Republikës së Shqipërisë. E ndërtuar mbi një konsensus të gjerë politik dhe me mbështetjen e pakushtëzuar dhe të fortë të partnerëve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, reforma ishte përgjigja e domosdoshme ndaj një krize të thellë besimi në sistemin e drejtësisë. Reforma në drejtësi gëzoi mbështetje të madhe publike dhe krijoi pritshmëri të larta për një drejtësi të pavarur, funksionale dhe me integritet. Dhjetë vjet më pas, rezultatet janë të dukshme. Shumica e qytetarëve besojnë se epoka e pandëshkueshmërisë ka filluar të marrë fund. Raportet ndërkombëtare, mediat dhe publiku, me të drejtë, i kushtojnë vëmendje aktivitetit dhe sukseseve të SPAK-ut dhe GJKKO-së, por në sistemin tonë të drejtësisë kemi edhe struktura të tjera, gjyqtarë e prokurorë, të cilët, po me kaq përkushtim, profesionalizëm, dinjitet dhe përgjegjësi, kanë arritur të japin drejtësi. Sot, të gjithë aktorët politikë, publikë, institucionet, media dhe shoqëria civile i referohen gjithnjë e më shumë Kushtetutës dhe organeve të drejtësisë, duke adresuar problematikat, pretendimet apo konfliktet në rrugë ligjore. Ky është tregues i një kulture të re juridike dhe demokratike, por kjo kulturë kërkon edhe respektimin e vendimeve gjyqësore nga të gjithë. Drejtësia funksionon kur respektohet, jo vetëm kur deklarohet.
Ky vit gjyqësor duhet të shënojë kalimin nga faza e reformës në drejtësi në fazën e drejtësisë funksionale e të qëndrueshme. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë kanë rol thelbësor për të krijuar norma, praktika unifikuese dhe garantim të sigurisë juridike. Prej vitesh drejtuesit tuaj kanë kërkuar, me të drejtë, më shumë pavarësi, siguri, mbrojtje dhe respekt për magjistratët. Vrasja tragjike e gjyqtarit Astrit Kalaja në tetor të vitit të kaluar është një kambanë alarmi për të gjithë ne, institucionet dhe shoqërinë shqiptare. Siguria e jetës dhe dinjiteti juaj nuk janë privilegje, por kusht për ekzistencën e shtetit të së drejtës. Një tjetër parim i drejtësisë është: drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Zvarritjet procedurale, qartësia e vendimeve, koha e gjatë që merr shqyrtimi i dosjeve dhe zbardhja me vonesë e vendimeve perceptojnë te qytetarët impaktin negativ për sistemin e drejtësisë, për jetën, të drejtat, pronën dhe mjedisin e tyre. Forcimi i standardeve, unifikimi i praktikës gjyqësore, eficienca institucionale dhe cilësia e vendimmarrjes janë parakushte për rikthimin dhe konsolidimin e besimit publik. Si President i Republikës do të vijoj të mbështes fuqimisht forcimin e pavarësisë dhe funksionalitetit të sistemit të drejtësisë, të mbështes çdo nismë që shkon në drejtim të forcimit të institucioneve të drejtësisë dhe ruajtjes së integritetit të tyre, por gjithmonë do të mbetem një zë i qartë në mbrojtje të interesave të qytetarëve që presin drejtësi funksionale, të ndershme dhe të barabartë për të gjithë.
Burimi: opinion.al


