Zyrtarët në SHBA, pikëpyetje mbi provat e vaksinës AstraZeneca

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë thanë të martën se rezultatet e testimeve të vaksinës AstraZeneca në SHBA mund të kenë përfshirë “informacione të vjetëruara”, ndoshta sepse kompania paraqiti një tablo jo të plotë të të dhënave për efikasitetin e saj.

Një zëdhënës i kompanisë farmaceutike tha të martën se ishte “duke e shqyrtuar çështjen”.

AstraZeneca njoftoi të hënën se vaksina e saj për koronavirusin garanton mbrojtje të fortë midis të rriturve të të gjitha moshave, mbështetur në një studim të shumëpritur në SHBA.

Disa ekspertë shpresonin se studimi do të ndihmonte në rikthimin e besimit të publikut në të gjithë botën dhe do ta sillte vaksinën një hap më pranë çertifikimit në SHBA.

Në një studim me më shumë se 30,000 njerëz, kompania raportoi se vaksina rezultoi 79% e efektshme në parandalimin e rasteve simptomatike të koronavirusit, përfshirë edhe tek persona më të moshuar. Midis vullnetarëve të vaksinuar nuk ka patur raste të rënda ose shtrime në spital, krahasuar me pesë raste të tilla tek pjesëmarrësit në Britani dhe vende të tjera.

AstraZeneca tha gjithashtu se vëzhguesit e pavarur nuk gjetën efekte anësore serioze dhe asnjë rritje të rrezikut për mpiksje gjaku si ato të raportuara në Evropë, një shqetësim i cili bëri që shumë vende të pezullonin përkohësisht vaksinimet javën e kaluar.

Por vetëm disa orë pas raportimit të këtyre rezultateve inkurajuese, Instituti Kombëtar i Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive në SHBA publikoi një deklaratë të pazakontë.

Instituti tha se Bordi i Monitorimit të të Dhënave dhe Sigurisë (DSMB) “shpreh shqetësim se AstraZeneca mund të ketë përfshirë informacione të vjetëruara nga këto testime, të cilat mund të kenë dhënë një tablo jo të plotë të efikasitetit.”

“Ne e inkurajojmë kompaninë të punojë me DSMB për të rishikuar të dhënat për efikasitetin në mënyrë që të dhënat më të sakta, të përditësuara të efikasitetit të bëhen publike sa më shpejt”, thuhej në deklaratë.

Në javët e ardhshme, kompania synon të paraqesë një aplikim për vaksinën në Administratën amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe ekspertët e jashtëm të qeverisë do të debatojnë publikisht mbi provat.

Autorizimi dhe udhëzimet për përdorimin e vaksinës në Shtetet e Bashkuara do të përcaktohen nga FDA dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, pas shqyrtimit të plotë të të dhënave nga komitetet e pavarura këshilluese./VOA

Ngjarja paraprake

Vezë Dhe Spinaq – Dy Ushqime Të Rëndësishme Për Rënien Nga Pesha

Ngjarja e ardhëshme

Kuvendi miraton aktin normativ për marrjen e vaksinave/ Votohen 10 projektligjet për Reformën në Drejtësi

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian