Zyra e Kryeministrit të Kosovës: Gërmimet në Kizhevak vazhdojnë ditëve në vijim

Përfaqësues të Delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, kanë vizituar lokacionin e varrezës masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi, me rastin e rifillimit të gërmimeve atje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës (ZKK), gërmimet në guroren e Kizhevakut, ku më 16 nëntor u zbuluan mbetje mortore të cilat dyshohet se janë të viktimave të luftës së vitit 1999 në Kosovë, do të vazhdojnë ditëve të ardhshme.

“Gërmimet vlerësuese dhe zhvarrosjet e mbetjeve mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, gjegjësisht punimet në këtë lokacion, do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Ekspertët mjeko-ligjor të Kosovës, në emër të Delegacionit të Kosovës, do të vazhdojnë të jenë të pranishëm deri në përfundim të procesit, në përputhje me praktikat mes dy delegacioneve”, thuhet në njoftimin e ZKK-së.

Mbetjet mortore, të cilat nga autoritetet kosovare dyshohet se janë të shqiptarëve të bartura atje në kohën e luftës së vitit 1999, u zbuluan të hënën e 16 nëntorit nga ekspertët e EULEX-it, ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur.

Sipas njoftimit nga Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), ekspertët e këtij misioni kanë kryer gërmime në Kizhevak që prej vitit 2015. EULEX ka bërë të ditur se “puna në Kizhevak është larg nga të përfunduarit”, ngase sipas tyre “procesi është shumë i ndërlikuar dhe merr shumë kohë”.

Gjithashtu, ky mision u ka bërë thirrje të afërmve të të gjithë personave të zhdukur në Kosovë (1,643) që t’i japin mostrat e gjakut për ta lehtësuar procesin e identifikimit të mbetjeve mortore.

Bazuar në mbetjet mortore të gjetura në Kizhevak nuk dihet saktë ende për sa persona bëhet fjalë, por sipas kryetarit të Komisionit të Qeverisë së Serbisë për personat e zhdukur, Velko Odalloviq, në këtë lokacion potencialisht gjenden 15 deri 17 trupa.



. .

Ngjarja paraprake

Komisioni Rregullator ndryshon numrin e mandateve

Ngjarja e ardhëshme

Dashuria pas Covid-19, sipas astrologëve ky është Horoskopi i vitit të ri

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian