Zinxhiri korruptiv, jo vetëm i pushteteve!

Shumica e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut jeton në pragun e varfërisë. Varfëri e cila thellohet çdo vit e më shumë dhe është kthyer gati në normalitet absurd. Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve poashtu thellohet hovshëm. Bazuar në të ardhurat, sipas Entit Shtetëror të Statistikave për vitin 2022, më shumë se 452 mijë qytetarë jetojnë në pragun e varfërisë. Eurostat rendit Maqedoninë e Veriut në vendin e tretë më të varfër të Evropës. E gjitha kjo e ka një shkak esencial, kuptimplotë, zinxhirin korruptiv të shoqërisë dhe jo vetëm korrupsioni i pushteteve – qeverive, i atij pushteti që opozita e ka pasur dje, dhe kërkon ta ketë nesër. Pavarësisht se në raportin e fundit të Transparency International për vitin 2022, Maqedonia e Veriut ka bërë përparim në luftën ndaj korrupsionit, ku nga vendi i 111 që ishte vitin e kaluar ka kaluar në vendin e 87 në vitin 2022, përsëri korrupsioni mbetet çështja kryesore e varfërimit të shumicës dërrmuese.

Zinxhiri korruptiv pasuron skajshëm një kategori njerëzish dhe varfëron pjesën shumicë të saj. Nisur që nga nivelet e larta të pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, më pastaj korrupsioni në biznesin e madh, të mesëm dhe të vogël, duke vazhdua në shoqërinë civile, OJQ-të e ndryshme të cilat korruptojnë fondet e BE-së apo financimet e ndryshme nga qendra apo pushteti vendor. Korrupsioni në pushtetin lokal me lejet e ndërtimit, zaptimin e hapësirave publike, tenderimet klanore krejtësisht të paligjshme. Madje zinxhiri korruptiv në bashkësitë fetare, me pasurinë e xhematit, pronat vakëf, e lëre më pastaj kriminalitetin e klerit kishtar në bashkëpunim me qeveritë. Zinxhiri korruptiv në sport, klubet sportive dhe federatat e ndryshme, manipulimet e ndeshjeve dhe arkës sportive.

Korrupsioni në arsimin e lartë – universitete publike dhe private, që pos analfabetizmit akademik, lulëzon korrupsioni i karrierës – avancimin akademik, shtuar “biznesin” me notat dhe diplomat e studentëve deri te fondet publike arsimore. Vazhduar me korrupsionin në shëndetësi, që nga pastruesja e deri te mjeku specialist për operacione të paguara jashta rendit dhe gjendjes kritike të pacientëve. Korrupsini në kulturë, me fondet e shfaqjeve teatrale, të filmit, financimi i librave dhe projekteve të ndryshme jashtë procedurave dhe standarteve ligjore. Mos harrojmë që kemi korrupsion e dëshmuar edhe me buxhetin e partive politike (që sapo u dënua ish kryeministri Gruevski për keqpërdorim të buxhetit partiak), buxhetin e anëtarsisë partiake. Sigurisht jo të gjithë, por sigurisht pjesë e konsiderueshme, shkaktare e varfërimit të shumicës.

Korrupsioni në tenderimet publike, nga ata me vlera më të vogla deri te qindra miliona euro para publike të keqpërdorura. Zinxhiri korruptiv në Ministrinë e Punëve të Brendshme, nga polici më i thjeshtë e deri në kokat më të larta, manipulimet me hetimet penale, procesverbalet e aksidenteve në komunikacion, kontrabandës në dogana, mbylljen korruptive të hetimeve penale, shantazheve dhe bashkëpunimit korruptiv me prokurorët e të gjitha niveleve. Korrupsioni dhe manipulimet me ekpertizat gjyqësore, korrupsoini i noterëve me noterizime antiligjore për larjen e parave dhe qarkullimit në treg të pasurive antiligjore. Pastaj vazhduar me avokatët si sekserë mitoje me sistemin e drejtësisë, për ta kurorëzuar me manipulimet dhe ndërhyrjet me paisjen e licencave të fushave të ndryshme, deri të manipulimet e provimit të jurisprudencës apo akademinë për gjykatës dhe prokurorë. Që do të thotë se brumi i shoqërisë sonë është lejuar të gatuhet me farën e korrupsionit, dhe s’ka si të reflektohet ndryshe kjo shoqëri në udhëheqjen e pushteteve, nga kushdoqoftë.

A nuk qarkullojnë bizneset mallra dhe artikuj të qindra miliona eurove jashtë qarkullimit ligjor, nga kafenetë, restorantet, hoteleritë, punëtoritë e vogla, deri te bizneset e mëdha, që me të gjitha format e mundshme i shmangen detyrimeve ndaj shtetit, madje shumica nuk paguan as sigurimin e punëtorëve, sepse pjesë e konsiderueshme e inspektoriatit ështe shantazhuar nga pushteti dhe është po në hallkën e këtij zinxhiri korruptiv. Korrupsioni ekziston edhe në mospagesën e të ardhurave jashtë pagës, nga projekte apo aktivitete të ndryshme, çdo shmangie e së cilës është evazion fiskal. Sigurisht jo të gjithë, por sigurisht pjesë e konsiderueshme, shkaktare e varfërimit të shumicës.

Prandaj, problem i vetëm nuk është pushteti apo pushtetet, në këtë mënyrë dhe mentaliteti shoqëror, hipokrizisë intelektuale dhe religjioze, zinxhiri i korrupsionit ka qenë, është dhe do të vazhdojë, para dhe pas “revolucionit laraman për drejtësi”, nga të pozitës dhe ata opozitës në pushtetin e së nesëmres, nëse gjithmonë nuk kemi nje ndryshim radikal në sistem. Qeveritë dhe partitë mund të zgjidhin çështje të natyrave të lirive dhe të drejtave etnike të popujve brenda shtetit, zgjidhjen e konflikteve me fqinjët, integrimin në strukturat ushtarake perëndrimore, por korrupsioni dhe mundësia për korrupsion mbetet aty, varfëria qytetare dhe pagat e ulëta poashtu thellohen në krahasim me shpenzimet.

Pa një ndërhyrje serioze në sistem, pastrim ligjor me shkarkime dhe ndjekje penale në ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, nëpermjet makanizmave ligjorë apo kontrolleve të verifikimit të pasurisë (dhe jo vetem propagandë), edhe po të integrohemi në Bashkimin Evropian (me hatër gjeostrategjik) do të mbetemi më në varfëri edhe korrupsion të theksuar, me shumë sesa është Bullgaria e korruptuar sot, pavarësisht integrimit në BE. Varfëria do të nxisë edhe më tej migrimin për të cilin aq shumë po qajmë, por në anën tjetër me korrupsion e stimulojmë atë.

Mos ndërhyrja e një pastrimi ligjor emergjent në këto tre pushtete, zinxhiri korruptiv në gjithë shoqërinë vetëm se do rritet më shumë, shndërrohet në kulturë korruptive të popullatës, të atyre që e quajnë veten të zotë për të vjedhur dhe jetuar mirë. Njëkohësisht nuk mund të shpëtojmë pjesën e pastër, të ndershme dhe profesionale në këto pushtete, por edhe jashtë tyre. Mundësia për mbushjen e arkës shtetërore do të jetë minimale dhe rritja e pagave artificialisht, shtetin do ta fusë edhe më shumë në kolaps dhe kriza financiare.

Gjendja aktuale thuajse ka nënshtruar totalisht pjesën e shëndoshë të shoqërisë, të atyre në pushtet dhe opozitë, të cilët mundohen shumë dhe kanë pak, ose mbijetojnë. Korrupsioni blen drejtësinë dhe blen respektin e një pjese të konsiderueshme injorantësh dhe puthadorësh nga njerëzit, të cilët nuk e kuptojnë ose i janë nënshtruar fatit se krimit duhet ti nënshtrohesh, se para kërcënimit të këtij krimi nuk ka rrugadalje.  Sigurisht jo të gjithë, por sigurisht pjesë e konsiderueshme, shkaktare e varfërimit të shumicës.

Zinxhirin korruptiv fatkeqësisht e përbëjnë të gjitha nacionalitetet, partitë politike, qeveritë e kaluara dhe të sotme, kush më shumë e kush me pak. Të korruptuarit janë armiqtë e shumicës, janë zhvatësit e ëndrrave të bukura të “fëmijëve varfanjak”. Në këte vend korrupsioni gjendet gjithandej, ështe berë normë, madje edhe brenda mureve të objekteve fetare dhe të atij xhematit hipokrit që vjedh rrymën elektrike, që nuk paguan ujin e mbeturinat, por që fal namaz në safin e parë të xhamisë dhe tregon “ders” natë e ditë, ndërkohë është pjesë e zinxhirit korruptiv. Sigurisht jo të gjithë, por sigurisht pjesë e konsiderueshme, shkaktare e varfërimit të shumicës.

Kjo histori vazhdon dhe gjendja rëndohet shumë e më shumë, pavarësisht kush është në pushtet. Nëse nuk bëjmë një ringjallje të sistemit, një koordinim dhe vendosmëri mbipartiake dhe mbinacionale me veting serioz në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, me ndihmën e ndërkombëtarëve apo jo, ne do të vazhdojmë si miti i sizifit, gurin e anti-korrupsionit lart dhe gurin e anti-korrupsinit poshtë, por asnjëhërë në destinacionin e duhur. Sigurisht jo të gjithë, por sigurisht pjesë e konsiderueshme, shkaktare e varfërimit të shumicës.

Story i mëparshëm

Pritet ndryshim i motit, parashikimi për pesë ditë

Story i radhës

​Si t’i menaxhoni të metat e punës në ekip

Të fundit nga