Zgjedhjet/ Veliaj prezanton kandidatët për Këshillin Bashkiak të Tiranës: Sjellim energji të re me emra të nderuar

Në një deklaratë për mediat, nga selia e Partisë Socialiste, kryetari i PS në Tiranë, Erion Veliaj prezantoi listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Tiranës, e cila i është dorëzuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Veliaj u shpreh entuziast për emrat që kandidojnë në Tiranë dhe nënvizoi se kjo listë mishëron bashkëpunimin e mirë të Bashkisë së Tiranës me Qeverinë.

“Është një listë që do të sjellë një energji të re dhe një angazhim të jashtëzakonshëm nga djemtë e vajzat profesionistë, nga ata që kanë një barrë me eksperienca dhe që përfaqësojnë brezin e ri për Bashkinë e Tiranës. Duke qenë se jemi partia më e madhe dhe më serioze në vend, nuk pritëm mesnatën për pazare apo kompromise të fundit. Në këtë listë do të shihni se ne duam të vazhdojmë bashkëpunimin e jashtëzakonshëm me Qeverinë e Edi Ramës. Ka shumë njerëz, sidomos ata që kandidojnë, të cilët e duan Bashkinë e Tiranës me argumentin se mund të rrëzojnë qeverinë. Ne e duam Bashkinë e Tiranës që të bashkëpunojmë me qeverinë dhe prej këtij bashkëpunimi të prodhojmë rezultate në Tiranë, të prodhojmë projekte, që Tiranës t’i shkojnë punët vaj. Të shohësh qeverisjen e një qyteti si instrument për të shkatërruar një qeverisje tjetër është gafa më e rëndë që mund të ndodhë në politikë”, tha Veliaj.

Ai prezantoi edhe fushat nga të cilat vijnë emrat e rinj të Këshillit Bashkiak.

“Ne kemi një listë, e cila mishëron, si kurrë më parë, një bashkëpunim të qeverisë së Republikës së Shqipërisë me Bashkinë e Tiranës – qeveri që na u gjend në ditët e vështira. Sigurisht, në ditët e tërmetit e pandemisë dhe që na gjente edhe në projektet e mëdha që ne i bashkëfinancojmë, siç kemi bërë tek Pazari i Ri, siç bëjmë me projektet e Unazës, Piramida, rindërtimi i shkollave dhe një pafundësi projektesh, ku qeveria e Edi Ramës dhe Bashkia e Tiranës kanë një dakordësi në bashkëfinancim. Kjo është arsyeja pse një pjesë e zëvendësministrave do i kemi në Këshillin Bashkiak të Tiranës, duke filluar me: Romina Kuko, Megi Fino, Julian Hodaj, Endri Hoxha, Hantin Bonati, Vjollca Braho, Besart Kadia, Enio Civici, etj”, nënvizoi Veliaj.

Mandej, ai shtoi se në Këshillin Bashkiak do të jenë edhe një skuadër juristësh, si Plarent Ndreca apo Eridian Salianji, e po ashtu përfaqësues të biznesit, si Luan Bregasi, që vjen nga sipërmarrja. Veliaj shtoi se pjesë e listës, që do të ndihmojë në çështjet ekonomike, është edhe Etleva Bajrami, zv.Dekane e Fakultetit Ekonomik. Po ashtu, në listë ka edhe emra të njohur arkitektësh dhe ekspertë të ruajtjes së trashëgimisë historike, si Ledia Tota apo Adelina Greca.

“Për herë të parë kemi në listë edhe përfaqësues të komunitetit Rom, egjiptian, për të treguar se Tirana nuk është një qytet racist, se nuk i ndan njerëzit në të ardhur dhe në vendalinj. Kemi gjithashtu, edhe listën me moshën më të re, nën 35 vjeç”, u shpreh Veliaj.

Nga komuniteti i artit dhe i sportit, në listë spikat ish futbollisti Redi Jupi, por edhe aktori Gaz Paja.

Veliaj tha se mirëpret rikthimin e opozitës në Këshillin Bashkiak. “Rikthimi i opozitës në Këshill Bashkiak më ndihmon mua të parin sepse jam i sigurt se ka plot gjëra që mund të bëhen më mirë, por ndonjëherë marrëdhënia me opozitën nuk ka qenë gjithmonë për të mirën e punës. Në pjesën më të madhe, sidomos 4 vitet e fundit, një pjesë e opozitës është angazhuar të na bllokojë në rrugë, me protesta pa sens, dhe bllokime punimesh si ato te ‘5 Maji’”, tha Veliaj.

Veliaj, u shpreh se Partia Socialiste synon që në zgjedhjet e 14 majit të fitojë 40 mandate këshilltarësh.

Në deklaratën për mediat nga selia e PS-së, Veliaj nënvizoi se të gjitha sondazhet në Tiranë tregojnë për një ekip fitues të PS.

“Duke parë sondazhet, që janë bërë nga kompani të ndryshme, qoftë televizione apo media të tjera, qoftë sondazhet tona të brendshme, me një marzh prej 56-58 për qind të votave, duke pasur parasysh se ka shumë parti që tentojnë të futen në Këshill Bashkiak, por nuk e kapin pragun dhe kësisoj e ulin për të tjeret, ne parashikojmë ose së paku kemi qëllim për të synuar 40 mandate, çka do na jepte mundësinë për të përdorur mandatet për të bashkëpunuar me qeverinë dhe për të bërë punë dhe jo për të kërkuar mandate për të rrëzuar qeverinë dhe për të sabotuar”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të shikojnë se cilët janë ata që punojnë dhe u janë gjendur në ditët më të vështira si pandemia dhe tërmeti dhe cilët janë ata që bëjnë populizëm në fushatë.

“Ftesa për të gjithë qytetarët është, shikoni ata që punojnë, shikoni ata që janë seriozë dhe nuk bëjnë gallata apo populizëm dhe fushatën. Shikoni një skuadër që nuk e braktis as Këshillin Bashkiak, as Bashkinë, me urdhra partie, shikoni ata që ishin në ditët e vështira siç ishin pandemia dhe tërmeti dhe nëse do të shikoni për këto personazhe, do t’i gjeni në listën e anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Partisë Socialiste të Shqipërisë”, shtoi ai.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Zjarr në një garazhë në Shkup, digjen dy vetura

Story i radhës

Erdogan falënderon Kosovën për ndihmën e dhënë gjatë tërmetit

Të fundit nga