Zgjedhjet e 14 majit, Luçiano Boçi prezanton projektin për parkun diellor në Elbasan: Do trajnojmë dhe punësojmë mbi 100 teknikë

min lexim

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Elbasan, Luçiano Boçi prezantoi projektin e tij për parkun diellor të qytetit ndërsa nënshkroi me një kompani partnere të grupit europian Edison një Memorandum Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi.

Duke e quajtur një prej ëndrrave më të bukura për Elbasanin kthimin e tij në një qytet të pastër dhe ekologjik, Boçi tha se “Ne kemi menduar që të realizojmë në Elbasan një park qytetas të energjisë diellore, duke përdorur kryesisht çatitë e banesave për montimin e paneleve diellore”.

“Ne duam që në këtë proces të trajnojmë dhe punësojmë jo më pak se 100 teknikë, të cilët do të angazhohen në montimin dhe mirëmbajtjen e këtij parku diellor. Projektin e parë të këtij tipi e ka bërë bashkia e Los Angeles në SHBA” – tha Boçi.

Inxhinieri Gabriele Daini, Drejtor i shoqërisë E-Life Project, pjesë e grupit Italian IES shpjegoi vizionin e kompanisë së tij për dekarbonizimin sa më të plotë të Elbasanit dhe mënyrat e ndërhyrjes që do të vlerësohen në studimin e bëshmërisë. Grupi IES ka marrë përsipër që me fitoren e zgjedhjeve nga kandidati Boçi të nisë menjëherë studimin e bëshmërisë dhe përgatitjen e projektit ekzekutiv për të mundësuar realizimin e një projekti të energjisë së rinovueshme në Elbasan.

Bashkia e re do të ketë mundësi që të ofrojë një energji që kushton të paktën 30% më lirë për të gjitha entet publike, ujësjellësin, biznesit e reja startup që do të vijnë në Elbasan dhe gjithashtu do të krijojë një burim të rëndësishëm të ekonomisë së gjelbër dhe një model zhvillimor unik, – nënvizoi z. Boçi.

“Guximi për të kërkuar më të mirën buron nga besimi se ne e meritojmë atë. Fakti që nuk e kemi ende, fajëson ata që nuk e kanë krijuar. Në Shqipëri absurdi ka shkuar shumë larg, – tha ai. Këtu ata që paguhen për ta zhvilluar vendin, jo vetëm që nuk e kanë përmbushur këtë detyrë, por ata sulmojnë këdo që guxon të mendojë sesi kjo mund të bëhet.

Për fat të keq, politika shqiptare prej dekadash shpjegon vetëm rrugët sesi gjërat shkatërrohen, jo sesi ndërtohen ato”.

Duke ftuar qytetarët që të votojnë projektin e tij për Elbasanin e së ardhmes, Luçiano Boçi u shpreh se “ka ardhur koha që të mos lejojmë askënd që të rrëzojë shpresat tona për një jetë më të mirë, për një qytet më të denjë, për një sistem i cili premton të ardhme”.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Rajoni i Gjilanit: Për 1 javë u konfiskuan 26 patenta shoferi e u shqiptuan mbi 1 mijë gjoba

Story i radhës

Ambasadori i Suedisë: I lumtur që Kosova mori liberalizimin e vizave gjatë presidencës tonë

Të fundit nga