Zbardhet dosja dhe SMS-të për vrasjen e Behar Sofisë, vrasësi me pagesë la gjurmë kudo

Për zbardhjen e vrasjes së Behar Sofisë, Policia e Prokuroria kanë bërë një hetim kompleks, të plotë dhe shumë produktiv, që për një kohë mjaft të shkurtër solli identifikimin dhe arrestimin e 4 vrasësve me pagesë.

Megjithatë, nisur nga të dhënat që pasqyrohen në dosjen hetimore, duket se ka qenë vetë i dyshuari si vrasës me pagesë, Ernejt Shyti, që ua ka lehtësuar punën, duke lënë rrugëve shumë prova. Pamjet filmike dhe provat shkencore të përftuara nga objektet që 24-vjeçari Shyti la pranë Kodrave të Liqenit Artificial, zbuluan autorësinë e vrasjes së biznesmenit 66-vjeçar dhe bashkëpunëtorët e tij.

Vetë Ernejt Shyti u rrëfye, pranoi krimin e tregoi edhe bashkëpunëtorët, edhe pse njihte personalisht vetëm njërin prej tyre, Xhuljano Vishën. Megjithatë, dëshmia e tij vetëm kaq zbuloi, bashkëpunëtorët, por porositësit, që ishin gati të paguanin 50 mijë euro, vetëm atë që kreu vrasjen, Ernejti nuk e ka as idenë më të vogël se kush janë.

Ndërsa të tjerët, të paktën Skënder Vathi, që sipas grupit hetimor ka rolin e organizatorit dhe që supozohet të njohë personin, apo personat që kërkuan eliminimin e Behar Sofisë, nuk ka pranuar të flasë. Madje ai pretendon se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen. Ndërsa sa i përket Ernejt Shytit, grupi hetimor nuk ka asnjë dyshim që është pikërisht ai personi që shkrepi armën. Këtë, oficerët e Policisë e kanë provuar përmes ADN-së, që është përftuar pothuajse nga të gjitha sendet që ai kishte lënë te Liqeni, por kryesisht nga maska anti-COVID.

Aty ai ka hedhur edhe celularin që është zbërthyer nga Policia dhe përveç 2 mesazheve që janë gjetur nga këqyrja e tij, me tekste: “Duro vëlla, s’ka dalë akoma”, “Doli”, “Nga bregu i Lanës”, ka shërbyer për të zbuluar të gjitha lëvizjet dhe shtëpinë ku ka qëndruar. Itinerari që ka ndjekur është dokumentuar nga dhjetëra kamera sigurie e në këtë formë është zbuluar gjithçka. Më poshtë po publikojmë pjesë nga dosja hetimore e Prokurorisë së Tiranës, e siguruar nga gazeta “Panorama”, që tregon si është zbuluar grupi i vrasësve me pagesë, administrimi dhe analizimi i të gjitha provave që çuan në identifikimin e ekzekutorit dhe bashkëpunëtorëve.

PJESE NGA DOSJA HETIMORE PER VRASJEN E BEHAR SOFISE

Është përpiluar raport-shërbimi dhe ka rezultuar se nga ana e Policisë janë gjetur sende, të cilat dyshohen se kanë lidhje me vrasjen e shtetasit Behar Sofia. Konkretisht sende, të cilat i përkasin autorit të dyshuar të ngjarjes.

Menjëherë pas gjetjes së këtyre sendeve, janë marrë masa për sigurimin e vendit të ngjarjes, është rrethuar vendi dhe janë njoftuar ekspertët përkatës për të vijuar me procedurat e mëtejshme. Është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes në prezencë të ekspertit kriminalist dhe ekspertit biolog. Vendi i ngjarjes ndodhet në Parkun Kombëtar te Liqeni Artificial i Tiranës dhe kufizohet nga ana lindore e parkut me shkurre që të nxjerrin në rrugën këmbësore pedonale, nga ana perëndimore në vazhdimin e pyllit, nga ana jugore me shkurre me dendësi në pjesën e pyllit.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: Një shishe plastike ngjyrë blu, me mbishkrimin “B, Beautiful, 40 cl”, e mbyllur me tapë plastike të filetuar ngjyrë gri dhe nga brenda është bosh; Një shishe plastike ngjyrë blu, me mbishkrimin “B, Beautiful, 40 cl”, me tapë të hequr, në brendësi të saj ka rreth ½ lëng, pa ngjyrë, pa aromë; Një dorezë e trikotuar, ngjyrë e zezë, me vija ngjyrë gri, me pesë gishta; Një maskë mjekësore kirurgjikale me ngjyrë bojëqielli nga njëri krah dhe të bardhë nga krahu tjetër, e harkuar, në dukje e përdorur, me rripa anësorë të bardhë të këputur; Një xhup ngjyrë blu, i ndotur me baltë nga jashtë, me kapuç, me brez në formë pelushi; Një kapele sportive ngjyrë e kuqe me mbishkrimin te streha “Adidas”; Një aparat celular “Nokia”, i zi, me butona, i fikur.

Për sendet e gjetura është vendosur të kryhet ekspertimi biologjik vlerësues për gjurmë të ADN-së, nga ku është arritur të merret një profil i plotë, i cili mund të krahasohet me persona konkretë. Nga akti i ekspertimit biologjik, datë 12.03.2021, rezulton:

Në mostrën me mbishkrimin “BI”, nr.1, u përftua një profil gjenetik human, i vlefshëm për krahasim dhe identifikim; Në mostrën me mbishkrim “BI”, nr.2, nuk u përftua asnjë profil gjenetik; Nga mostra e ekzaminuar mbi bazën e ADN-së së përgatitur nga xhupi ngjyrë blu me kapuç, u përftua profil gjenetik miks, i vlefshëm për krahasim dhe identifikim; Nga mostra e ekzaminuar mbi bazën e ADN-së së përgatitur nga kapelja me ngjyrë te kuqe, u përftua profil gjenetik miks i vlefshëm për krahasim dhe identifikim; Nga mostra e ekzaminuar mbi bazën e ADN-së së përgatitur nga maska kirurgjikale, u përftua profil gjenetik me shenja mikse i vlefshëm për krahasim dhe identifikim; Nga mostra e ekzaminuar mbi bazën e ADNsë përgatitur nga dorezat me ngjyrë të zezë, u përftua profil gjenetik miks i vlefshëm për krahasim; Profili gjenetik i përftuar nga shishja blu nr.1, objekt i këtij ekspertimi, nuk përfshihet në profilet mikse të përftuara nga provat e tjera materiale, është i ndryshëm nga profili gjenetik me shenja mikse i përftuar nga maska kirurgjikale. Nuk përputhet me profilet gjenetike të ruajtura në sistemin CODIS deri më datë 11.03.2021; Profili gjenetik i përftuar nga maska kirurgjikale përfshihet plotësisht në profilet mikse të përfituara nga provat e tjera, është i ndryshëm nga profili gjenetik i përfituar nga prova në mostrën me mbishkrimin “BI” n.1, nuk përputhet me profilet gjenetike të ruajtura në sistemin CODIS deri më datë 11.03.2021.

Nga aparati celular dhe ekspertimi që i është bërë, janë përftuar kartat “SIM” të përdorura, numri “IMEI”, si dhe përdoruesit e këtij aparati dhe numrat e kontaktuar nga autori e ndihmësit e tij. Pas sekuestrimit të aparatit celular është përpiluar vendimi i ekspertimit teknik të tij dhe nga akti i ekspertimit ka rezultuar se aparati ka dy karta “SIM” me numrat përkatës, si dhe në celular, në rubrikën “Messages inbox” lexohet “Duro vëlla, s’ka dalë akoma”, “Doli”, “Nga bregu i Lanës”, si dhe është fiksuar numri i dërguesit.

Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, u është dërguar shkresë të gjitha kompanive celulare për të marrë të dhënat mbi përdoruesit e numrave të evidentuar, aparateve celularë të përdorur në bazë të numrave “IMEI”, vendndodhjen e qelizave celulare dhe itinerarin në bazë të qelizave të përdorura nga poseduesit e këtyre numrave, si dhe hartën digjitale. Më pas është bërë përpunimi dhe analiza nga ana e Drejtorisë Hetimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Në vijim të veprimeve hetimore, më datë 02.03.2021, është bërë rikontrolli i vendeve, konkretisht përgjatë Lumit Lana, nga Piramida deri tek Ura e Dajtit, për një distancë rreth 100 metra gjatësi. Kontrolli është bërë me aparat metalgjetës dhe nuk u konstatua gjë.

Në kuadër të veprimeve hetimore është vijuar me këqyrjen e kamerave të sigurisë së subjekteve të ndryshme. Nga këqyrja vërehet se nga vendi i ngjarjes dhe në drejtim të kundërt me ardhjen, autori ka pritur viktimën në këmbe tek ura e “ETC”-së (ura e këmbësorëve që ndodhet mbi lumin Lana tek “ETC”-ja).

Aty ka ardhur nga bregu i lumit Lana në anën e “Hotel Dajtit”, në këmbë, nga ura e lumit Lana që është në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit’, ku më parë ka lënë biçikletën poshtë urës. Për atje ka kaluar me biçikletë nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Sheshi “Skënderbej”, te godina e Bashkisë Tiranë, nga rruga “Luigj Gurakuqi”, nga Sheshi “Avni Rustemi”, nga rruga “Hoxha Tahsim”, nga Rruga “Bargjinët”, nga Rruga “Arkitekt Kasemi”, në trotuarin e kësaj rruge, nga pallati ku gjendet dyqani i celularëve “T… Mobile”, ku është fiksuar nga kamera e këtij subjekti të dalë nga hapësira e brendshme e këtij pallati. Është këqyrur kamera e një supermarketi në rrugën “Vexhi Buharaja” që ka fushëpamje të sheshit të hyrjes së pallatit, me pamje të kësaj rruge në drejtim të Bulevardit “Zhan D’ark”, në drejtim të rrugës “Vllazën Huta”, ku vërehet autori i dyshuar me biçikletë, del nga ky pallat që kapet nga kamera. Nga këqyrja e kësaj kamere edhe për datën 20.02.2021 vërehet se në orën 07:55 ka dalë një person me biçikletë, në dukje i njëjtë në karakteristika dhe me mjetin biçikletë me autorin e vrasjes së shtetasit Behar Sofia.

Po në këtë datë, vërehet se në të njëjtin vend të këtij pallati futet i njëjti person në dukje, në orën 08:28. Gjithashtu, nga këqyrja e kësaj kamere për filmimet e datës 24.02.2021, vërehet se në dukje, i njëjti person me biçikletë, del nga i njëjti vend në orën 07:55 dhe kthehet e futet përsëri në këtë datë në orën 10:11.

Nga këqyrja e pamjeve filmike të kësaj kamere për datën 20.02.2021, 24.02.2021 dhe më datë 25.02.2021 (ditën e ngjarjes para ndodhjes) personi me biçikletë, në dukje i njëjti person në çdo datë, me të njëjtat karakteristika fizike, veshje, me mjetin biçikletë, kryen të njëjtat lëvizje në ngjarjen e biçikletës (hipja, zbritja dhe drejtimi i biçikletës) në këtë cep të pallatit dhe rruga e njëjtë që përdor për t’u larguar dhe për të ardhur te pallati. Nga verifikimi në terren i këtij pallati, ka rezultuar se ky është pallati me nr.3, në rrugën “Vexhi Buharaja” (pallati i parë i kësaj rruge në vazhdim nga Bulevardi “Zhan D’ark”). Në pamjen e kamerës së këqyrur të supermarketit rezulton se gjendet vetëm një hyrje e pallatit nr.3 dhe pikërisht hyrja nr.2 e këtij pallati.

Nga informacionet në rrugë operative, janë siguruar të dhëna se në këtë pallat nr.3 shkalla nr.2, në katin e tretë në hyrjen (apartamentin) me numër në derë 6, jeton një grua e paidentifikuar nga ana e Policisë Gjyqësore. Me këtë vajzë ka të dhëna se ka qëndruar pikërisht një person me të njëjtat karakteristika dhe me biçikletë, si autori i vrasjes së shtetasit Behar Sofia. Duhet theksuar se në analizën e të dhënave telefonike, qelizat celulare të numrit të përdorur nga autori, tregonin qëndrimin e tij në këtë zonë.

Ngjarja paraprake

Greqia i kërkon Turqisë të zbatojë marrëveshjen për migrantët

Ngjarja e ardhëshme

KEDS njofton ndërprerje të rrymës si shkak i punimeve në rrjet nga palët e treta

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian