Vuçiq: “Nuk kam nënshkruar asgjë, sepse Kosova nuk është shtet i njohur ndërkombëtarisht”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha sot se nuk ka nënshkruar asgjë të shtunën në Ohër për shkak se “Serbia është vend i njohur ndërkombëtarisht ndërsa Kosova nuk është e njohur ndërkombëtarisht”, raporton Anadolu.

Ai përsëriti në konferencën për media se vijat e kuqe të Beogradit janë se nuk ka njohje të pavarësisë së Kosovës dhe pranim në organizatat ndërkombëtare, dhe theksoi se Serbia është e gatshme të punojë në zbatimin e marrëveshjes në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “deri në vijat e kuqe”.

Me rastin e vijave të kuqe, Vuçiq tha se kur bëhet fjalë për pavarësinë e Kosovës dhe për pranimin e saj në OKB, “ka dhimbje të padurueshme në dorën e djathtë”, duke treguar se nënshkruan vetëm me dorën e djathtë dhe theksoi se për sa i përket nënshkrimeve, kështu do të mbetet edhe për katër vitet e ardhshme.

Ai vlerësoi se në Ohër ka luftuar për një “letër shumë më të mirë” nga sa e priste kushdo.

Vuçiq tha se është e rëndësishme që në aneksin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të publikuar të shtunën pas takimit në Ohër, saktësisht thuhet se për themelimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, Kosova merr përsipër të sigurojë një nivel të duhur të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse nga dialogu.

Ai shtoi se edhe pse Prishtina insiston në planin e Ahtisarit, Serbia “nuk është e interesuar për të”, sepse nuk e ka miratuar atë plan dhe ka theksuar se ai plan nuk është pjesë e procesit të dialogut.

Me atë rast, Vuçiq potencoi se Serbia është e kënaqur me atë që është arritur deri më tani në dialog dhe se tani i takon Prishtinës që ta përmbushë atë që është marrë vesh, e nëse nuk e përmbush, i takon Serbisë të marrë vendime.

Ai ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dashur të formojë Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, në tri shtylla, pra në Kushtetutën e Kosovës, në deklaratën e Federica Mogherinit se Bashkësia e komunave nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe në letrën e këshilltarit special të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Derek Chollet dhe të dërguarit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të publikuar në media.

Vuçiq ka thënë se Serbia në anën tjetër ka katër marrëveshje në lidhje me Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, të cilat janë nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa në emër të Prishtinës.

Duke folur për pjesën e Aneksit me të cilin Beogradi dhe Prishtina bien dakord që urgjentisht të pranohet Deklarata për Personat e Zhdukur, Vuçiq tha se Serbia deri më tani ka qenë e gatshme të pranojë propozimet e Prishtinës, sepse të gjithë duan të dinë se ku janë të zhdukurit, por se ajo nuk mund ta pranonte termin “zhdukje me forcë” mbi bazën e të cilit Prishtina mund të kërkonte kompensim lufte nga Serbia.

Kujtojmë se të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut u mbajt takimi i nivelit të lartë i dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit i udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në konferencën për mediat pas takimeve tha se “Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre, midis Kosovës dhe Serbisë”.





Story i mëparshëm

Egjipt, mbahet Samiti i Sigurisë për uljen e tensioneve Izrael-Palestinë

Story i radhës

Fahrije Hoti mbështet marshin për drejtësi për krerët e UÇK-së

Të fundit nga