Vota e mërgatës në zgjedhjet e 14 shkurtit, implikimet politike

Neglizhimi i mërgatës nga qeverisjet e kaluara ka krijuar zemërim legjitim te kjo pjesë e shoqërisë sonë. Ky zemërim është po aq i pranishëm edhe tek qytetarët që pas pavarësisë kanë marrë rrugën e vështirë të mërgimit për shkak të mungesës së perspektivës për të ndërtuar një jetë më të mirë në vend.

Duke pasur këto dy konsiderata në mendje, nuk ështe e befasishme pse Lëvizja Vetëvendosje ka shënjestruar qëllimshëm mërgatën si një trup votues me prirje anti-establishment. Kjo mbase edhe mund të jetë taktikë legjitime, sikur ky të ishte shkaku i vetëm i këtij shënjestrimi politik.

Është edhe një arsye – shumë më e madhe dhe më pak fisnike – pse Lëvizja Vetëvendosje e kërkon votën masive të mërgatës. Për dallim nga vota e qytetarëve që jetojnë në Kosovë, e me të cilët pushteti duhet të ballafaqohet çdo ditë, vota e mërgatës nuk mbartë të njëjtën kërkesë për llogaridhënie. Kjo jo për shkak se mërgata është më pak kërkuese ndaj pushtetit. Thjesht, largësia ndikon në interesimin e kujtdo për problemet më të rëndëishme politike të vendit, ato të përditshme, në të cilat dështojnë më së shumti politikanët.

Po ashtu, distanca rritë edhe lëndueshmërinë nga propaganda, të cilës mbase nuk mund t’i rezistojnë as shumica që jeton në vend. Kjo është arsyeja kryesore pse vota e mërgatës është ideale dhe e preferuar për partitë politike me tendenca autoritare.

Mërgata jonë duhet të jetë e vetëdijshme për këtë keqpërdorim të mundshëm të dashurisë dhe përkushtimit që ndjenë për atdheun. Gjithsesi ky rrezik nga keqpërdorimi i besimit nuk është arsye për të mos votuar më 14 shkurt.

Përkundrazi, mërgata duhet të marrë pjesë në zgjedhje, dhe atë në mënyrë masive. Edhe nëse gabojnë në përzgjedhjen e tyre politike, për shkak të propagandës së sofistikuar të cilës i janë nënshtruar me vite, nuk duhet t’i fajësojmë.

Për të gjithë ata që votojnë nga mërgata duhet të kemi vetëm një kërkesë. Që të kërkojnë përgjegjësi dhe llogari për votën e dhënë. E për të qenë në pozitë për të kërkuar përgjegjësi, duhet të shijojnë qeverisjen e të zgjedhurve të tyre përtej periudhave të pushimeve vjetore.

Vetëm në këtë mënyrë kjo votë e mërgatës mund ta ndryshoj qeverisjen e vendit për të mirë. Ndryshe, vota e mërgatës do të keqpërdoret dhe, padashje, do të shndërrohet në mburojë të autokracisë.

Ngjarja paraprake

Britanikja tregon si ta vendosni maskën për të mos u avulluar syzet

Ngjarja e ardhëshme

Transplanti i parë i të dy krahëve tek një pacient, kryhet në Francë

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian