VOA: Rusia grumbullon rreth 70% të kapacitetit ushtarak në Ukrainë, synon pushimin në javët në vazhdim

Avionë luftarakë rusë kanë mbërritur në aerodromin ushtarak në Brest të Bjellorusisë. Avionët e tipit Su-25M janë të projektuar për të goditur objektiva tokësore dhe veprojnë në mbështetje të manovrave të njësive në tokë. Ndërkaq, ish-miliarderi rus Mikhail Khodorkovsky tha për kanalin Sky News se Presidenti rus Vladimir Putin ka realisht frikë që të fillojë luftën në Ukrainë.

Avionët luftarakë rusë Su-25M kanë mbërritur në Bjellorusi nga rajoni Primorsky i Rusisë për stërvitje të përbashkëta ushtarake, njoftoi të shtunën Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë.

Televizioni i ushtrisë bjelloruse, “Voyen TV”, tregoi pamje të avionëve, të projektuar për të mbështetur forcat tokësore, ndërsa mbërrinin në pistën ajrore në rajonin Brest.

Sipas zyrtarëve amerikanë, Rusia ka mbledhur të paktën 70% të forcave që do t’i duheshin në rast se Presidenti rus Vladimir Putin do të urdhëronte një pushtim të plotë të Ukrainës. Zyrtarët që folën në kushte anonimiteti paraqitën një sërë treguesish që sugjerojnë se zoti Putin synon fillimin e një pushtimi në javët në vazhdim.

Ndërkaq, Mikhail Khodorkovsky, ish-manjati i gazit rus tashmë në mërgim, i tha kanalit Sky News se realisht presidenti rus ka frikë të fillojë një luftë në Ukrainë.

“Putini nuk di vërtet se cili do të jetë reagimi i shoqërisë. Është një prej arsyeve pse ka frikë vërtet të fillojë luftën, sepse nëse lufta rezulton jopopullore, njerëzit do të protestojnë dhe jam i sigurtë se njerëzit nuk do ta mbështesin këtë luftë. Por, ai nuk di se sa i fortë do të jetë reagimi dhe kësaj i trembet vërtet”, tha zoti Khodorkovsky.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të enjten se ka lëvizje domethënëse ditët e fundit të forcave ushtarake ruse drejt Bjellorusisë, vend fqinj i Ukrainës.

Kremlini thotë se stërvitja në Bjellorusi që pritet të përfundojë më 20 shkurt, është një përgatitje për të smbrapsur forcat e huaja dhe thotë se njësitë do të tërhiqen pasi të përfundojnë manovrat.

Bjellorusi ka kufi të përbashkët me vendet anëtare të NATO-s, Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë, ndërsa Ukraina gjendet në kufirin e saj jugor./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Kaosi – etika dhe jo profesionalizmi në mjetet e informimit të Kosovës

Story i radhës

‘E dija që ishin kundra dashurisë tonë’/ Trekëndëshi mes saj Donald-Bora, Beatrix rrëfen: E shkuara e askujt nuk fshihet…

Të fundit nga