Voa/ Republikanët kundër Presidentit Biden për rritjen e taksave

Udhëheqësit republikanë i thanë Presidentit Joe Biden të mërkurën se janë kundër çdo rritjeje taksash për të financuar një rimëkëmbje ekonomike nga pandemia e koronavirusit, një goditje ndaj planeve të presidentit demokrat për të shpenzuar triliona dollarë për infrastrukturën, arsimin dhe kujdesin për fëmijët në SHBA.

Në takimin e tyre të parë të Shtëpisë së Bardhë që kur zoti Biden mori detyrën në janar, udhëheqësi republikan i senatit Mitch McConnell dhe udhëheqësi i republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy sinjalizuan një gatishmëri për të punuar me presidentin për infrastrukturën, por e vunë kufirin tek rritja e taksave.

Kjo përbën një hap prapa në përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për të miratuar në Kongres një projekt-ligj prej 2.25 trilionë dollarësh për infrastrukturën dhe një plan arsimi dhe kujdesi për fëmijët prej 1.8 trilionë dollarësh.

“Asnjë republikan nuk do të pranojë të rrisë taksat. Mendoj se është gjëja më e keqe që mund të bëhet në këtë ekonomi,” tha zoti McCarthy pas bisedimeve në Zyrën Ovale. Ai përmendi rritjen e çmimeve të benzinës si arsye për të mos mbështetur rritjen e taksave.

Senatori McConnell tha se republikanët nuk ishin “të interesuar” të ndryshojnë një reformë të vitit 2017 që uli taksat nën ish-Presidentin Donald Trump.

“Të dy ia kemi bërë të qartë presidentit. Kjo është vija e kuqe për ne,” tha McConnell.

Planet për rimëkëmbjen të zotit Biden kanë hasur në një rezistencë të ashpër nga republikanët në Kongres, me mosmarrëveshje në lidhje me propozimet për koston, shtrirjen dhe financimin. Këto plane dhe objektivi i zotit Biden për të taksuar amerikanë të pasur dhe kompani për të mbuluar koston, mbështeten nga votuesit nga të dy partitë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se zoti Biden nuk kërkon të rrisë taksat për klasën e mesme amerikane.

“Përfundimi i tij është se mosveprimi është i papranueshëm dhe se ai nuk do të rrisë taksat për amerikanët që fitojnë më pak se 400,000 dollarë në vit, por ai është i hapur për një sërë propozimesh,” tha ajo në një konferencë shtypi.

Ngjarja paraprake

Boss-i u arratis në Shqipëri, mediat turke zbardhin detaje të reja: Po e fsheh një biznesmen

Ngjarja e ardhëshme

Përfaqësim plot dinjitet shqiptar nga Maqedonia e Veriut në Bienalen e Venedikut

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian