VOA: Një zyrtar pro-rus i Khersonit kërkon bashkimin e këtij rajoni me Rusinë

Një zyrtar pro-rus në rajonin jugor të Khersonit, të pushtuar nga trupat ruse tha se do të bënte një kërkesë për aneksimin e këtij rajoni nga Moska.

Debati për aneksim në Kherson dhe gatishmëria e Rusisë për të shqyrtuar një kërkesë të tillë, kanë rritur shanset që Kremlini të kërkojë shkëputjen e një rajoni tjetër të Ukrainës, ndërsa po përpiqet të rimëkëmbet nga përpjekja e dështuar për të pushtuar gjithë vendin. Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

“Qyteti i Khersonit është Rusi”, tha Kirill Stremousov, nënkryetari i administratës rajonale të Khersonit të emëruar nga Moska, për agjencinë ruse të lajmeve “RIA Novosti”. Ai tha se zyrtarët rajonalë duan që presidenti rus Vladimir Putin ta bëjë Khersonin një “rajon ligjor” të Rusisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se do të ishte “në dorën e banorëve të rajonit të Khersonit” për të bërë një kërkesë të tillë dhe se çdo lëvizje për aneksimin e territorit do të duhej të vlerësohej nga ekspertët për t’u siguruar që ka një bazë “absolutisht të qartë” ligjore.

Rusia ka përdorur vazhdimisht aneksimin ose njohjen e republikave të shkëputura si taktikë në vitet e fundit për të shtrirë kontrollin në pjesë të ish-republikave sovjetike, Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014 pasi mbajti një referendum për bashkimin e gadishullit me Rusinë.

Khersoni, një port i Detit të Zi me rreth 300,000 banorë, ofron qasje në ujë të pijshëm për Krimenë fqinje dhe shihet si një port i rëndësishëm për zgjerimin e kontrollit rus në Ukrainën jugore. Ai u pushtua në fillim të luftës, duke u bërë qyteti i parë i madh i Ukrainës që ra në duart e trupave ruse.

Këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak u tall me nocionin e aneksimit të rajonit, duke thënë në një postim në Twitter se “Pushtuesit mund të kërkojnë të bashkohen edhe me Marsin apo Jupiterin. Ushtria ukrainase do ta çlirojë Khersonin, pavarësisht lojërave me fjalët që po bëhen tani.”/VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Apple kalon nga porta Lightning në USB-C në 2023

Story i radhës

Nga një maji, 1225 shërbime jepen online në portalin e-Albania

Të fundit nga