VMRO kërkon komision të ri për virusin, Filipçe e akuzon për rrezikimin e shëndetit të qytetarëve

Opozita maqedonase kërkon formimin e një Komisioni të veçantë dhe të pavarur për menaxhimin e situatës me pandeminë, në vend të Komisionit ekzistues për sëmundje ngjitëse që funksionon në kuadër të Qeverisë. Sipas tyre, propozim-ligji për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse s’ka masa konkrete për luftë me pandeminë, s’ka masë për rritjen e kapaciteteve të institucioneve që bëjnë testimin, s’ka masë për testim më të lehtë të grupeve të rrezikuara në shoqëri dhe as testim më të zgjeruar në komunat më të rrezikuara. Sipas deputetit Antonio Milloshovski, ky ligj është vetëm ndryshim teknik dhe jo për ndryshime thelbësore në luftën me virusin.

“Të formohet një Komision special shtetëror për mbrojtje dhe luftë kundër pandemive dhe epidemive në momentin kur ata ekzistojnë ose në të ardhmen kur të ndodhnin përsëri. Propozuam që ai Komision të ketë 11 anëtarë. Në të të ishin anëtarë ministri i Shëndetësisë dhe drejtori i Qendrës për Menaxhim me Krizat kurse të tjerët do të ishin tre specialistë infektologë, dy epidemiologë, 2 mikrobiologë, 1 imunolog dhe 1 specialist internist”, tha Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Kjo kërkesë irritoi pushtetin të cilët VMRO-DPMNE-në e cilësojnë si destruktive dhe me qëllimin e vetëm për të prishur imazhin e Komisionit për sëmundje ngjitëse. Ministri Filipçe thotë se kjo parti rrezikon shëndetin e qytetarëve.

“Kjo është një përpjekje e menduar dhe tendencioze për pikë të politikës ditore e cila drejtpërdrejt rrezikon shëndetin e popullsisë. Që nga fillimi i krizës me kovidin në vend nga opozita nuk pamë asgjë tjetër përveç veprime jokonstruktive, pengesa dhe kritika për të gjithë ata që japin përpjekje maksimale për menaxhimin e virusit… Kërkesa për të formuar një Komision të ri të cilin do ta zgjedhë Kuvendi si një mënyrë që gjoja të tregojnë shqetësim dhe konstruktivitet, është e pabazë. Në Komisionin për sëmundje ngjitëse anëtarë janë profesionistë të lartë, ekspertë në fushën e tyre”, ka shkruar Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Që të mos e shfrytëzojnë kërkesën e opozitës si argument, VMRO-DPMNE-ja ftoi shumicën të caktojë seancë parlamentare ku do të mundësojnë krijimin e kuorumit dhe miratimin e ndryshimeve tashmë të propozuara ligjore ku parashikohen masa anti-kovid, por janë të sigurtë se këto masa s’do sjellin rezultate.

Ngjarja paraprake

Endrit Shala sulmon Kurtin, e mbron Hotin

Ngjarja e ardhëshme

Zv/ministri i MPB-së Nazim Bushi takim pune me Zv/shefin e Misionit të OSBE-së në Shkup, Golldstajn

të fundit nga