Vllaznia kthehet në krye pas 11 vitesh

Bojkoti i stërzgjatur, përgatitjet e ndërlikuara, apo pengesat nga pandemia mund të kenë ndikimin e tyre në prezantimin e Kategorisë Superiore në dy javët e para, por opinioni sportiv më në fund ka krijuar një profil për të gjitha konkurrentët në garë, shkruan Supersporti.

Kryesuese është Vllaznia falë dy ndeshjeve të fituara me të njëjtin rezultat 2-0, respektivisht ndaj Apolonisë dhe Skënderbeut. Për ta bërë më të prekshme këtë arritje, kujtojmë që hera e fundit ku Vllaznia kryesonte në kampionat ka qenë Maji i 2009-ës.

Mund të konsiderohet edhe e favorizuar nga kalendari, por një skuadër që ka vuajtur pa fund në dekadën e fundit, duke prekur edhe rënien nga kategoria dhe një klubi që po kërkon të ringrihet në lartësinë që i është imponuar opinionit në gjithë historinë e saj, më shumë se kaq nuk mund të pretendohet.

Për të mbetur te tabela e renditjes, surpriza më e madhe mund të konsiderohet pozicionimi në vendet e fundit i Skënderbeut dhe Kukësit, dy klube që kanë fiksuar paraqitjet më konstante dhe pozitive të gati gjithë dekadës së fundit, duke ndarë trofetë mes tyre dhe lavdinë në garat europiane.

Janë të shumta arsyet për këtë start problematik dhe rezervat për t’i riparë sërish si lider të futbollit tonë, por e sigurt se askush nuk do të guxonte t’i përjashtonte nga gara për vendet e larta edhe në këtë sezon.

Në 10 ndeshjet e luajtura nuk është ndjerë aspak efekti i fushës vendase, konfirmuar me vetëm 3 fitore për ekipet vendase, 4 barazimet dhe 3 fitore për ekipet udhëtuese.

Në një garë ku diferencat janë minimale të gjithë skuadrat konkurruese janë të bindura se për të realizuar objektivat sezonalë duhet ta kërkojnë fatin e tyre në secilën ndeshje, qoftë ajo në shtëpi apo larg saj.

Dy javët e para kanë pasur të përbashkëtën se janë shënuar në secilën prej tyre nga 11 gola. Mesatarja 2.2 gola për ndeshje nuk është nga më të larta e kampionatit tonë, por është një premisë për të pasur një vazhdimësi më pozitive.

Një element i veçantë është se 10 nga 22 golat e shënuar kanë patur si pikënisje goditjet standarde, që konfirmon një kujdes të shtuar nga skuadrat për shfrytëzimin në maksimum të këtij elementi të rëndësishëm loje.

Njëkohësisht në këto dy javë janë ndier edhe gabimet e skuadrës së arbitrave, të cilat në disa raste kanë qenë flagrante dhe që shkojnë si një mesazh i fortë për të reflektuar dhe për të rritur përgjegjësinë për një prezantim sa më pozitiv për të vendosur drejtësi në të gjitha ndeshjet e kampionatit tonë.

Ngjarja paraprake

Arrestohet i dyshuari që qëlloi me armë zjarri një qytetar afër zyrave të EULEX-it në Prishtinë

Ngjarja e ardhëshme

Përshkallzim, në Strumicë e Kumanovë nuk ka shtretër të lirë

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian