Vlerat dhe idealet e shkërmoqura në një realitet të shëmtuar!

E gjithë pasuria shpirtërore dhe virtytet që të parët tanë aq me insistim kërkuan që ne ta trashëgonim është e stërmadhe dhe e papërshkrueshme. Por, nuk mund të le pa përmendur, ato që përtej asaj që janë në të vërtetë, janë kthyer në mite për ne shqiptarët: dashuria për atdheun qëndron në krye, për magjinë dhe madhështinë që shfaq, por edhe për dobinë në çaste historike të vështira, e më pas besa, bujaria, aftësia për kompromis, devotshmëria për punë, dëshira për dije etj. …

Dhe kur përmend gjithë këto vlera e ideale, mendoj se ato nuk kanë aspak lidhje me epokën e materializmit, ku kemi hyrë prej vitesh. Asnjë shoqëri nuk përparon pa i pranuar gabimet, pa i kuruar ato dhe pa e njohur pendimin.

Mjerisht, kombi ynë s’e njeh fajin dhe kjo qe një nga fatkeqësitë më të mëdha kombëtare. Të tillët që s’e njohin fajin, për çdo dështim e kanë të gatshëm një justifikim.

Të gjitha garat në shoqërinë tonë janë për pushtet më të madh mbi gjërat që dështojnë çdo ditë. Për ne është më e rëndësishme se çfarë thonë të tjerët sesa ne i themi vetes. Ne jemi bërë skllevër të gënjeshtrave tona, gënjejmë se kënaqemi, se jetojmë derisa na vdes shpirti.

“kemi gabuar shumë dhe të gjithë” – ky është sensi human i të kuptuarit të shtetit. Aq më tepër kur në fund pason thirrja për shpresë: “Kurrë nuk është vonë për pendim dhe katharsis shpirtëror”. Shoqëria jonë më tepër është fokusuar në vlera të rreme, duke mos ditur të vlerësojë ato të vërtetat. Motivi i fitimit ka zhytur thellë në terr çdo ideal. Jeta është e zhurshme dhe e rrëmujshme. Rrënimi i shtyllave themelore të një sistemi ka shkatërruar të ardhmen e jetës sonë dhe të fëmijëve tanë për vite me radhë.

Ndaj, detyrë e intelektualëve, qytetarëve është mos të heshtin por të flasin dhe të rezistojnë kundrejt së keqes, çfarëdo qoftë ajo dhe sado e fortë të jetë. Pa kompromis dhe duke besuar përherë tek e mira!

Kemi ne gjë në dorë për të ndryshuar? Sigurisht se kemi. Ne të gjithë jemi pjesë së një tërësie, e cila, tek e fundit pasqyron atë që secili prej nesh është. Nëse afrojmë pranë vetes vlera dhe nëse i qëndrojmë besnikë idealeve tona, në një farë mënyre kemi kontribuar për një Kosovë më të begatë. Të ardhmen e kemi përpara dhe prandaj nuk kemi pse të mos jemi optimistë.

06 shkurt 2022

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Uashingtoni, Tokio dhe Seuli diskutime mbi provat me raketa të Phenianit

Story i radhës

Neurokirurgu i suksesshëm që e braktisi Maqedoninë, për pesë vjet 782 mjekë kanë ikur në vendet e perëndimore

Të fundit nga