Vit i realizimit të ëndrrave për Betim Fazlijin, shkëlqimi në Zvicër dhe debutimi me Kosovën

Betim Fazliji është lojtari më i ri që është grumbulluar nga Përfaqësuesja e Kosovës në vitin 2020.

Mbrojtësi i talentuar nga Lugina e Preshevës ishte përcjellë gjatë nga FFK e trajneri Challandes, por në fund grumbullimi i tij erdhi vetëm në muajin nëntor.

Në përgjithësi për Fazlijin, vitin 2020 ka qenë një vit i realizimit të ëndrrave, pasi shumë nga to i janë bërë realitet.

21-vjeçari sot është njëri nga mbrojtësit më të vlerësuar në elitën e futbollit zviceran, ku në sezonin e tij të dytë po luan me mjaft sukses me St Gallenin.

Në një intervistë, Fazliji ka folur për vitin që sapo kemi lënë pas, sukseset e arritura dhe ëndrrat e realizuara.

“Për mua viti 2020 ka qenë shumë i mirë, përkundër që në përgjithësi ka qenë një vit i vështirë duke parë situatën me pandeminë që ka kapluar gjithë botën”.

“Ka qenë një vit ku kam pasur paraqitje shumë të mira me klubin, pasi kemi arritur vendin e dytë në kampionat që është një sukses për ne”, u shpreh fillimisht Fazliji.

 Fazliji: Kam ëndërruar gjithmonë të vesh fanellën e Kosovës

Padyshim që ardhja e tij tek Kosova ka qenë njëra nga prurjet më të mira në kohët e fundit, pasi Fazliji vlerësohet lartë për potencialin që ka.

Fazliji thotë se debutimi me Kosovën ka qenë ëndrra e madhe që kishte e që i është bërë realitet.

“Unë e kam dashur Kosovën dhe Kosova më ka dashur mua që një kohë të gjatë dhe jo vetëm nga muaji nëntor”.

“Kemi pasur takime prej disa muajve, por shkaku i pandemisë COVID-19 nuk ishte e mundur që të grumbullohesha”.

“Gjithsesi erdhi nëntori, u grumbullova dhe e bëra debutimin që e kam ëndërruar gjithmonë dhe jam ndier futbollisti më i lumtur në botë”, vazhdon tregimin e tij Fazliji.

Ai ka falënderuar stafin e Përfaqësueses, drejtuesit e Federatës së futbollit të Kosovës si dhe bashkëlojtarët për mikpritjen fantastike që i kanë bërë.

“Pritja që më është bërë ka qenë fantastik nga të gjithë, lojtarët me disa nga të cilët jam njohur që nga kampionati zviceran, stafi teknik apo edhe nga Federata”.

“Dua t’i falënderojë për mikpritjen që ma kanë bërë pasi jam ndjerë sikur që jam pjesë e Kombëtares që disa vite”, tha Fazliji.

“Kosova duhet të guxoj kualifikimin për në Kampionatit Botëror”

Shorti për kualifikimet e Kampionatit Botëror ‘Katari 2023’ është hedhur dhe Kosova ka mësuar kundërshtarët e saj.

Dardanët ndodhen në Grupin B ku do të përballen me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë për një biletë për në botërorin e vitit 2022.

Përkundër që është një grup shumë i vështirë, Fazliji thotë se Kosova duhet të guxojë kualifikimin.

“Është një grup shumë i vështirë, por nuk është i pamundur të kalohet. Ne duhet të kemi guxim të përballemi me të gjitha Kombëtaret kundërshtare, përfshirë edhe Spanjën”, tha Fazliji.

“Jemi një grup i lojtarëve të ri, por që është një grup shumë i mirë. Duhet të jemi të bashkuar dhe mos të kemi frikë nga asnjë kundërshtar”, ka vazhduar tutje 21-vjeçari.

Fazliji thotë se Dardanët duhet të ëndërrojnë kualifikimin pasi vetëm në këtë mënyrë mund t’ia arrijnë.

“Ne si futbollistë në fushë futemi gjithmonë për të fituar dhe kështu duhet të ndodh edhe ndaj secilit kundërshtar që kemi përballë”.

“Shpresoj të largohet sa më parë pandemia dhe të luajmë para tifozëve tanë të mrekullueshëm. Mezi pres të luaj ndeshjet e marsit për vendin tim”, u shpreh qendërmbrojtësi.

“Është koha që t’i tregojmë gjithë botës se kush është Kosova dhe se e ardhmja na përket popullit tonë”, tha Fazliji.

Këtë vit mund të ndërron skuadër, ka oferta të shumta

Fazliji ka shkëlqyer në elitën e futbollit zviceran në dy vitet e fundit dhe është mëse normale që interesimi për të është shumë i madh.

Ai ka thënë se mund të ndërroj skuadër brenda vitit 2021, por fillimisht është herët për të folur për një gjë të tillë.

“Mund të ndodh që ky vit të më bëjë me skuadër të re, por fillimisht mund të them se fokusi im për momentin është te St Gallen”.

Fazliji ka thënë se ka oferta të ndryshme, si nga skuadrat e mëdha zvicerane ashtu edhe nga kampionati të ndryshme.

“Kam oferta nga skuadrat e mëdha zvicerane, por ka edhe nga kampionate të ndryshme, por thash fillimisht jam i fokusuar te ST Gallen pastaj të shohim”.

“Shpresojë vetëm që të kem shëndetin, mos të kem lëndime sikur në vitin 2020 që ka shkuar gjithçka mirë dhe të vazhdojë me paraqitje të mira”, tha Fazliji.

Krejt në fund ai thotë se ëndërron të luaj në elitën e futbollit anglez, Ligën Premier, por i pëlqen edhe Bundesliga dhe Serie A.

“Ëndrra ime është që një ditë të luaj në Ligën Premier, por më pëlqen edhe Bundesliga dhe Serie A”.

“Një ditë shpresojë që të luaj në njërin nga këto kampionate, pse jo ta realizojë këtë ëndërr brenda vitit 2021”, përfundoi mbrojtësi i talentuar i Kosovës.

Ngjarja paraprake

Suma: 70 përqind e qytetarëve të Hanit të Elezit e kanë kaluar koronavirusin

Ngjarja e ardhëshme

SHBA-ja deporton në Kosovë terroristin Ardit Ferizi i njohur si ‘Diktatori’

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian