(VIDEO) Vazhdon bllokimi aktiv i Kuvendit, më 18 qershor protesta

Vazhdimi i bllokimit aktiv të Kuvendit, protesta më 18 qershor dhe paralajmërime se nuk do të ndalen këtu e që do të shqyrtohen të gjitha hapat deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Këto ishin vendimet që mori mbrëmë Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së, të cilët edhe gjatë ditës së sotme kanë dalë me thirrje të qytetarëve për protestë.

MILE LEFKOV, VMRO-DPMNE
Është mëse e qartë përse LSDM dhe BDI duhet të ikin. Ua zgjatëm dorën dhe dërguam porosi për unifikimin e të shtypurve, të varfërve, biznesmenëve, edukatorëve, mjekëve, profesorëve, bujqëve, popullit të vuajtur të Maqedonisë, heshtja nuk është opsion. Protesta është më se e nevojshme. Prandaj u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të na bashkohen dhe të gjithë së bashku t’i sjellim ndryshimet. Është bërë shumë, kjo protestë është për ndryshime”.

Por, nga Lidhja Socialdemokrate bllokimin aktiv të Kuvendit e cilësojnë si një dështim, duke nënvizuar se ai bllokim tashmë po zëvendësohet me protestë në rrugë. Nga kjo parti thonë se vetë fakti që VMRO-DPMNE-së i nevojitet një muaj për të organizuar një protestë, flet për problemet brenda partisë së Mickoskit.

DARKO KAESKI, LSDM
“Që kur dështuan bllokimet e pasuksseshme të VMRO-DPMNE-së në Kuvend, tani pallati i bardhë paralajmëron protesta që duhet të mbahen pas një muaji. Gjithsesi protesta është e drejtë demokratike e opozitës, por fakti që Mickoskit i duhet një muaj i plotë që të organizojë protesta, flet për problemet që i ka brenda partisë që të mbajë kolltukun e tij në pallatin e bardhë”.

LSDM edhe një herë përsërit se çështja e zgjedhjeve të parakohshme është e mbyllur dhe se ato do të mbahen në afatin e rregullt në vitin 2024, ndërsa nga VMRO-DPMNE nënvizojnë se do të vazhdojnë hapat e radhës dhe nuk do të ndalojnë derisa vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Story i mëparshëm

Kryeministrja serbe nesër për vizitë në RMV

Story i radhës

Publikohet lista preliminare për banesat sociale

Të fundit nga