VIDEO/ Tensionet në veri të Kosovës, deputeti i “Vetëvendosjes” kalon kordonin e KFOR-it, futet në komunën e Leposaviçit

Java ka nisur me tensioone në veri të Kosovës. Qytetarët serbë janë mbledhur para komunave këtë mëngjes për të penguar hyrjen e e drejtuesve shqiptarë në komunat në veri të Kosovës.

Për pasojë atje ka prezencë të shtuar nës KFOR-it dhe policisë së Kosovës, ndërsa në Zveçan policia ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Mediet në Kosovë raportojnë se deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje është filmuar teksa futet në komunën e Leposaviqit bashkë me kryetarin e kësaj komune.

Deputeti është futur në kohën kur KFOR-i ka krijuar një kordon me gjemba afër kësaj komune.
Përleshjet që shpërthyen midis protestuesve serbë dhe policisë bënë që Serbia të ngrejë gatishmërinë luftarake të ushtrisë së saj.

Bashkësia ndërkombëtare e dënoi fuqishëm vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri. NATO-ja kërkoi shtensionimin e menjëhershëm të situatës.

Më 26 maj, kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, me asistimin e Policisë së Kosovës hynë në ndërtesat komunale, për të nisur punën, pasi një ditë më parë bënë betimin në shkolla dhe ndërtesa të tjera komunale. Hyrja e tyre në zyrat e komunave u kundërshtua nga grupe të serbëve lokalë. Policia e Kosovës ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bomba, ndërkaq serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të tyre.

Të paktën pesë policë pësuan lëndime. Faktori ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara, dënuan veprimet e Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që menjëherë të ulen tensionet.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, megjithatë, sipas tij, çdo opsion tjetër “do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj”.

Ndërkaq, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovës, KFOR, tha më 26 maj se situata e krijuar “është jashtëzakonisht e rrezikshme për procesin e normalizimit [të marrëdhënieve Kosovë-Serbi” dhe se “rrezikon përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve”.
KFOR dënoi “aktet e njëanshme”, teksa u bëri thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna.

Në katër komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet e 23 prillit u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë, pasi në këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk morën pjesë partitë serbe. Zgjedhjet u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar.

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe. Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj. Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar./albeu.com/

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

U zgjodh për herë të tretë president, rrugëtimi politik i “sulltanit” që ka udhëhequr për 20 vite Turqinë

Story i radhës

Von Cramon mban sot konferencë për media

Të fundit nga