(VIDEO) Rasti “Monstra”, Ajdari: Gjykata na privoi nga e drejta për avokat

March 19, 2022
min lexim

Gjykata e Apelit ka diskutuar dje për rastin Monstra, ku po shqyrtohet vendimi i shkallës së parë lidhur me rastin e vrasjes së pesëfishtë pranë Liqenit të Smillkovës në vitin 2012. Por familjarët e të akuzuarve thonë se seanca e djeshme u mbajt kundërligjshëm dhe me një sërë parregullsish. Avokatët e palës mbrojtëse munguan në gjykim për shkak të izolimit si pasojë e Covid19, por mungesa e tyre nuk u përfill nga Gjykata e Apelit. Të akuzuarit gjithashtu kërkuan tërheqjen e trupit gjykues për shkak të përfshirjes së tyre në segmente të mëhershme të këtij gjykimi, por edhe kjo kërkesë u refuzua.

BEDRI AJDARI, FAMILJAR I TË AKUZUARVE
“Trupi gjykues i privoi nga e drejta për të pasur avokat. Të akuzuarit edhe pse nuk i kishin avokatët aty, kërkuar shkarkimin e një gjykatësi dhe të trupit gjykues dhe përjashtimin e Gjykatës së Apelit nga vendimi. Në fakt me këtë veprim duhej të ndërpritet seanca dhe lënda të shkojë në Gjykatën Supreme për të vendosur nëse është adekuat ky trup gjykues dhe kjo gjykatë të vendosë për këtë lëndë apo jo. Nuk u bë kjo, as nuk u shënua në procesverbal kjo kërkesë”.

Sipas Bedri Ajdarit, i gjithë ky nxitim i Gjykatës së Apelit vjen me qëllimin që lënda të mos vjetërohet për njërin prej të akuzuarve dhe ai mos t’i shmanget dënimit.

BEDRI AJDARI, FAMILJAR I TË AKUZUARVE
“Me sa e kuptova unë, kryetarja e trupit gjykues tha se nëse zvarritet lënda do të vjetërohet për njërin prej të akuzuarve dhe nuk do të ketë mundësi pastaj të veprojnë mbi atë. Për atë e kishin me nxitim”.

Përveç kësaj, Ajdari thotë se në procesin në shkallën e dytë nga Gjykata e Apelit kishte edhe një sërë shkeljesh tjera. Gjykata e Apelit vazhdon të marrë për bazë ekspertizat e ekspertëve pa licencë, për të cilat gjatë vitit të kaluar kishte dëshmi se janë të falsifikuara.

BEDRI AJDARI, FAMILJAR I TË AKUZUARVE
“Është bërë ekspertiza ligjore nga një ekspert i angazhuar nga MPB e cila u kap në flagrancë në vitin 2021 duke treguar se e ka falsifikuar ekspertizën ligjore. Në seancë gjyqësore prokurorja Fatime Fetai vetëm ia tërheqë vërejtjen. I thotë ‘a e dini se për këtë punë shkohet në burg?’. Ngeli me kaq. Dje gjykata eksplicit thirret në atë ekspertizë”.  

Për rastin Monstra gjykata e shkallës së parë vitin e kaluar kishte shqiptuar dënime me burg të përjetshëm për të arratisurit Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, si dhe për Agim Ismailoviqin. Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg dhe Haki Aziri me 9 vjet burg. Në periudhën në vazhdim pritet vendimi i Gjykatës së Apelit. Familjarët kanë frikë se me mënyrën si u zhvillua procesi në Gjykatën e Apelit, po synohet të konfirmohen vendimet e shkallës së parë. /SHENJA/

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Elshani i lumtur me barazimin ndaj Ulpianës

Story i radhës

Olivier Giroud ftohet nga Franca si zëvendësues i Karim Benzema

Të fundit nga

ShkoLartë