Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hrsitjan Mickoski i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i përgjigjet kërcënimeve të qeverisë së LSDM-së për kërcënimet ndaj mësimdhënësve dhe edukatorëve. Ai gjatë një konferece për media, komentoi grafitet nëpër muret e shkollave që përbëjnë kërcënim për Sindikatin e Arsimit , Shkencës dhe Kulturës. Sipas tij, sjellja e aktivistëve të LSDM-së është skandaloze.
Hrisitjan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE
“Ky është mesazhi që përmes aktivistëve të LSDM-së dhe pushtetit ua dërgojnë mësimdhënësve, profesorëve dhe edukatorëve, por edhe SASHK-ut dhe sindikatave tjera, ja në çfarë shteti regjimor jetojmë. Është skandaloze dhe i bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare, OSBE-së dhe të gjithë atyre që ndjekin proceset të reagojnë, në të kundërtën do të jem i zhgënjyer me sjelljen e tyre”.
Nga ana tjetër, LSDM-ja i bën apel SASHK-ut që të ndërpresin grevën dhe fëmijët të kthehen nëpër shkolla, sepse siç thonë pushteti edhe këtë vit do të sigurojë rritje të pagave në arsim.
Daniella Nikollova, deputete e LSDM-së
“Edhe këtë vit do të ketë rritje të pagave në arsim, këtë do ta arrijmë përmes dialogut me sindikatat dhe të gjitha palët e përfshira. Prandaj, apelojmë tek SAShK-u që t’i kthehet dialogut, që mësimi të vazhdojë, do të gjendet një zgjidhje në interes të mësimdhënësve. Të mos lejojmë që mësimi të prolongohet dhe kështu të rrezikohet regjistrimi, matura shtetërore si dhe dhënia e provimit profesional për pesëqind mësimdhënës”.
Sipas LSDM e drejta e grevës është e drejtë e garantuar, por mësimdhënësit duhet të udhëhiqen nga interesat e nxënësve. Ata shtojnë se viti shkollor duhet të vazhdojë të zhvillohet pa pengesa, sidomos pas dy viteve të pandemisë kur nxënësit mësuan oline ose me model të kombinuar.
Linda Ebibi /SHENJA/