(VIDEO) Fillon bllokimi aktiv i Kuvendit, opozita kërkon zgjedhje

Ashtu siç kishin paralajmëruar, VMRO DPMNE ka filluar sot bllokimin aktiv të punës së Kuvendit. “Bllokim aktiv për shpëtim nga katastrofa nacionale” – thoshte transparenti i opozitës i hapur në fillimin e seancës së sotme të Kuvendit. Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së Nikolla Micevski tha se edhe pa bllokimin e opozitës, Kuvendi është jofunksional dhe mezi siguron kuorum, një argument shtesë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

NIKOLLA MICEVSKI, VMRO-DPMNE
“Juve nuk ju nevojitet bllokim aktiv, ju bllokoheni vetë. Dy orë ju duhet që të mbledhni kuorumin, ndërsa thoni se keni 64  deputetë. Ju jeni bllokimi i shtetit dhe e bllokoni punën e Kuvendit. Bllokimi aktiv është për shpëtim nga katastrofa nacionale, prandaj bëjmë thirrje për zgjedhje”.

Por, LSDM është përgjigjur se nëse opozita dëshiron zgjedhje, nuk i duhen transparentë por një copë letër dhe 61 nënshkrime, të cilat opozita dështoi t’i grumbullojë pas zgjedhjeve lokale. Shefi i grupit parlamentar të partisë në pushtet Jovan Mitrevski thotë se nëse qëllimi i opozitës është për të shpëtuar shtetin, nuk do të bllokonte zgjidhjet ligjore tashmë disa muaj.

JOVAN MITREVSKI, LSDM
“Nuk mundet VMRO-DPMNE të jetë për shpëtimin e bujqësisë, kur e bllokon Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për tre muaj, nuk mund të jetë për shpëtim të energjisë dhe për tetë muaj bllokon Ligjin për Fotovoltaikë. Prej dy vitesh bllokon zgjidhjen ligjore për rrugët dhe infrastrukturën lokale. Kjo është ajo që ju ofroni si gjoja shpëtim kombëtar”.

Ndërkohë, kryeparlamentari Talat Xhaferi duke iu përgjigjur nismës së VMRO DPMNE-së, ka cituar raportin e Parlamentit Evropian, i cili sipas tij, ka lavdëruar punën e institucioneve të vendit.

TALAT XHAFERI, KRYEPARLAMENTAR
“Sa i përket transparentit do të ju rikujtoj raportin e fundit nga Parlamenti Evropian, më sakt komisioni për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian, të cilin e morëm para disa ditësh, dhe në ndërkohë do të ju shpërndahet, ndërsa unë do të ju lexoj vetëm pjesë të shkëputura nga pika, puna e institucioneve, ku Parlamenti Evropian e përshëndet faktin që RMV vazhdon të tregojë rezultatet më të mira në tranzicionin demokratik në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

VMRO DPMNE vendosi për këtë hap radikal për bllokimin e Kuvendit pasi më parë qeveria refuzoi ultimatumin e tyre për t’u marrë vesh për zgjedhje të parakohshme parlamentare deri më 10 maj. Sipas kryeministrit Dimitar Kovaçevski, qeveria e tij ka legjitimitet të plotë me përkrahjen e 64 deputetëve dhe vendit aktualisht nuk i duhen zgjedhje të parakohshme parlamentare. /SHENJA/

 

Story i mëparshëm

UT prezanoti ofertëm arsimore – shkencore në “Pançe Karagjozov”

Story i radhës

UT prezanoti ofertën arsimore – shkencore në “Pançe Karagjozov”

Të fundit nga