Vetoja bullgare- Zaev: Askush s’ka të drejtë të na e kontestojë identitetin

Identitetin dhe mbiemrin maqedonas askush nuk ka të drejtë të na e kontestojë, është decid Zaev. Deklarata vijoi pas takimit të fundit teknik të historianëve maqedono-bullgar. Zaev shprehi gatishmëri për publikimin e procesverbaleve nga takimet e deritanishme nëse me këtë gjë pajtohet edhe pala bullgare. Pajtueshmëria e të dy anëve del nga marrëveshja me Bullgarinë.

“Nëse pala bullgare konfirmon, ne jemi të gatshëm që menjëherë t’i publikojmë. Mbiemri “maqedonas” nuk është problem. Ky është mbiemri që ka të bëjë me identitetin, identiteti ynë nuk është kontestues dhe nuk do të lejojmë që dikush ta kontestojë atë. Asnjëherë dhe në asnjë mënyrë me çmimin e interesave të popullit tonë”, tha Zoran Zaev – Kryeministër i RMV-së.

Vetoja bullgare mund të shkaktojë demotivim te populli jonë, tha Zaev. Shtoi se dekada me radhë, vendi ynë ka shpenzuar kohë të çmuar në zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale me vendet fqinje.

“Patjetër se mund të shkaktojë demotivim te populli për anëtarësim të plotë në BE, gjë që nuk do ta dëshironim”, tha Zaev.

Përgjigja e tij arriti pasi që ambasadorja amerikane në intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, shprehi zhgënjim nga vetoja bullgare. Kejt Meri Bërns vlerëson se vetoja bullgare sjell disa rreziqe, për shkak se, siç thotë, disa shtet të caktuara si Rusia dhe Kina, që nuk i ndajnë vlerat për Evropën si e lirë dhe e bashkuar, mund ta shfrytëzojnë situatën për interesin e tyre strategjik.

“Jemi të zhgënjyer nga vetoja e Bullgarisë për shumë arsye, së pari për shkak se besojmë se Maqedonia e Veriut ishte e gatshme që ta fillojë procesin e hapjes dhe mbylljes së kapitujve me BE-në. Ka shumë rreziqe që pasojnë nga vendimi i Bullgarisë, rreziqe jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por edhe për BE, por edhe për çështjet në lidhje me procesin e zgjerimit në tërësi”, potencoi Kejt Mari Bërns.

Bërns e theksoi rëndësinë e vazhdimit të bisedave dypalëshe mes Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe ka shprehur shpresë se diskutimet do të jenë konstruktive dhe në interes të të dyja palëve.
Njeriu i parë i diplomacisë Bujar Osmani, për gazetën greke TO VIMA, ka theksuar se nuk ekziston Evropë e fortë, pa Ballkan të fortë. Sipas tij, stabiliteti i BE mund dhe duhet të bëhet së bashku me stabilizimin evropian të Ballkanit dhe se bisedimet aderuese me BE, nuk duhet të shndërrohen në bisedime me Bullgarinë.

Ngjarja paraprake

Rudina Dembacaj zbulon sekrete të tjera nga martesa, edhe dhuratën më të bukur të Markut

Ngjarja e ardhëshme

Pesë gola në sfidën Manchester Utd - Liverpool! Shaqiri 9 minuta, ja kush kualifikohet 

të fundit nga