Vërshimet fundosën “Bajram Aliun”, stadiumit të Skenderajt i duhen 200 mijë euro

Stadiumi “Bajram Aliu”, në të cilën i zhvillon ndeshjet klubi i futbollit Drenica, është defunksionalizuar dhe shkatërruar totalisht pas vërshimeve të javës së kaluar dhe shpresat që ai të rikthehet në gjendjen e mëparshme janë tejet të vogla.

Drejtuesit e klubit, por edhe ata të Komunës së Skenderajt, kërkojnë ndihmën e Ministrisë së Sportit si dhe të Federatës së Futbollit të Kosovës për ta tejkaluar këtë situatë të vështirë.

Kryetarja e klubit të futbollit Drenica, Mihane Kodra-Bekteshi, thotë për KosovaPress se dëmet në stadium janë aq të mëdha sa që nevojitet ndërtimi i një tjetri nga fillimi.

Kodra-Bekteshi: Stadiumi “Bajram Aliu” është shkatërruar totalisht

“Nuk e di se çfarë ka më rëndë sepse çdo gjë që e kemi pasur e ka dëmtuar… Vlerësimet ende nuk i kemi kryer sepse deri para dy ditësh nuk kemi pasur mundësi as të hyjmë në stadium sepse vërshimet kanë qenë shumë të mëdha, por po mendoj që vlerësimet janë ato që shihen, së pari unë e shoh stadiumin në çfarë gjendje është, madje dhomat e zhveshjes që i kem pasur asgjë nuk ka mbetur sepse të gjitha i ka marrë uji dhe në fakt vetëm ekskavatori këtu funksionon, përndryshe nuk ka mundësi sepse besoj nëse tentojmë dhe mendoj ne të investojmë nuk ka mundësi sepse e ka dëmtuar shumë”, thotë Kodra Bekteshi.

Ajo shton tutje se për rikthimin e stadiumit në gjendje funksionale shpresat më të mëdha i kanë te Federata e Futbollit të Kosovës, por edhe te njerëzit që ia duan të mirën futbollit, sepse gjendja është vërtetë shumë e rënduar.

Kodra-Bekteshi: Shpresat e mëdha i kemi te Federata e Futbollit

“Presidenti i federatës Agim Ademi ka qenë ditën e dytë apo të tretën. Ka menduar të hyjë brenda, por nuk ka mundur sepse e ka parë gjendjen çfarë. Na ka premtuar që brenda mundësive si federatë të na dalin ndihmë, por diçka për momentin konkrete nuk kemi… Shpresat e mëdha i kemi te federata, të them të drejtën, Federata e Futbollit sepse shpresoj dhe besoj që presidenti nuk do ta lë këtë punë pa na ndihmuar, pak komuna, edhe besoj që ka njerëz të mirë në Kosovë të futbollit në përgjithësi që vërtetë në këtë herë kemi shumë nevojë për përkrahjen dhe ndihmën që na u ka shkaktuar ky dëm”, shprehet tutje Kodra-Bekteshi.

Drejtori i Drejtorisë së Sportit në Komunën e Skenderajt, Alban Berisha, shprehet i shqetësuar me gjendjen në të cilën ka përfunduar ky stadium. Ai thotë se vërshimet shkatërruan gjithçka që ishte ndërtuar nga dora e njeriut në këtë impiant sportiv.

Sipas Berishës, mbi 200 mijë euro është vlera e dëmeve të shkaktuara.

Berisha: Gjithçka e ndërtuar nga dora e njeriut në stadium, është shkatërruar

“Padyshim se të gjitha institucionet dhe hapësirat vartëse në Komunën e Skenderajt i kemi inspektuar me grupet punuese, mirëpo tani më jemi në fazën ku veç është themeluar edhe një ekip prej profesionistëve të cilët do ta bëjnë vlerësimin e dëmeve. Vlerësohen të jenë të paktën mbi 200 mijë eurove dëme në stadiumin e Drenicës. E keni parë një zhveshtore cila nuk e di më se si mund ta quajmë atë… Realisht nuk ka diçka që nuk është prekur në stadiumin ‘Bajram Aliu’ në Skenderaj. Gjithçka që është ndërtuar, nga dora e njeriut, nga institucionet është e dëmtuar aktualisht”, thotë Berisha.

Duke parë gjendjen tejet të rënduar të stadiumit, Berisha thotë se ka pak shpresa që ai të mund të rikthehet në gjendje normale për shfrytëzim për ndeshjet e stinorit pranveror të Superligës së Kosovës në futboll.

Berisha: Nuk besoj se stadiumi mund jetë gati për ndeshjet e stinorit pranveror

“Realisht nëse qëndrojmë më këmbë në tokë, do të jetë e vështirë, presim të jetë shumë e vështirë. Do të marrim hapa konkret, do të bëjmë kërkesë edhe tek Federata e Futbollit të Kosovës, tek i pari i federatës edhe tek Ministria e Kulturës edhe do të shohim çfarë do të marrim përgjigje prej anës së tyre. Ne si institucione lokale fokusin komplet e kemi tek shtëpitë dhe familjet të cilat na kanë mbetur pa kulm mbi kokë aktualisht.”, shprehet Berisha.

Berisha gjithashtu bërn të ditur se tashmë kanë nisur kontaktet me disa klube të tjera, të cilat kanë shprehur gatishmëri që t’ia mundësojnë Drenicës t’i zhvillojë ndeshjet në stadiumet e tyre në stinorin pranveror të Superligës së Kosovës deri në funksionalizimin e stadiumit “Bajram Aliu”.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Türkiye dënon sulmin terrorist në Kudsin Lindor

Story i radhës

Sanksionohen 139 shoferë në Shkup, 13 prej tyre nuk kishin patentë shoferi

Të fundit nga