Vedat Muriqi nuk e dinte se çka është kjo ndjenjë qe një kohë të gjatë.
Kishin kaluar gjashtë ndeshje që sulmuesi kosovar nuk e shihte portën, shkruan mediumi spanjoll “Marca”.
Të shtunën që shkoi, kundër Villarrealit, 28 vjeçari e rigjeti golin dhe tash arriti në kuotën e nëntë golave.
Në realitet, fillimisht ai ishte nevrikosur që nuk po mundë të shënonte, por tash ka ndryshuar strategji dhe prioritet, pasi po mundohet ta ndihmojë ekipin edhe në forma të tjera.
“Kanë kaluar dy apo tri ndeshje që kur kam hyrë në fushë duke menduar që ‘nuk duhet të mendoj veç të shënoj’, por ky nuk është karakteri im.
Pas atyre ndeshjeve filloja të luaja siç di unë.
Nga ajo ditë jam i lumtur”, kishte deklaruar së fundmi ish-futbollisti i Fenerbahçes dhe i Lazios.
Dhe, Muriqi është më shumë sesa golat.
Që kur ka arritur në ishullin spanjoll, sulmuesi prizrenas e ka marrë zemrën e tifozëve me punën që e bën në fushën e blertë dhe për angazhimin e tij maksimal.
Për kthetrat e tij, për krenarinë që e ka. Dhe po, për golat e tij.
Në pjesën e parë të sezonit, ai i realizoi 8 gola, duke e parë veten duke u krahasuar me yje të klubit si Samuel Eto’o, Albert Luque apo Ëalter Pandiani, pasi kishte shënuar radhazi në pesë ndeshje.
Më pas, e pati një seri të zezë dhe nuk shënonte nga nëntori i vitit të kaluar, për të vazhduar edhe pas Kupës së Botës e deri tash.
Sidoqoftë përfaqësuesi kosovar u zhbllokua më në fund ndaj Villarrealit në fitoren 4:2.
Tash, synim i Muriqit është të kalojë në numrin dyshifror të golave, përcjell “Gazeta Express”.
“Unë jam sulmues dhe synoj të shënoj gola gjithmonë. Kur një sulmues nuk shënon, është e vështirë ta mbështesësh, por mendoj se jam me fat që mund të llogaris në një trajner dhe në bashkëlojtarët, të cilët e dinë se jam duke e ndihmuar ekipin në një mënyrë tjetër”, ka thënë Muriqi kur nuk arrinte të shënonte.
Muriqi është në garë për çmimin “Pichichi” pasi aktualisht është në vendin e katërt, 6 gola prapa liderit, Robert Lewandowski dhe dy gola prapa Topit të Artë, Karim Benzema.
Ai e ndihmoi Mallorcan edicionin e kaluar pa rënë nga liga kur ishte i huazuar nga Lazio.