“Turqia synon rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Kenian”

Ambasadori turk në Kenia, Ahmet Cemil Miroğlu, ka deklaruar se vendi i tij synon të diversifikojë dhe përmirësojë bashkëpunimin ekonomik me ekonominë më të madhe të Afrikës Lindore, Kenian, në një nivel të ri të bazuar në favor të të dyja palëve.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), ambasadori Miroğlu tha se Turqia e konsideron Kenain si një aktor kryesor dhe më të fuqishëm në rajonin e Lindjes dhe Bririt të Afrikës, si dhe një partner të rëndësishëm në Afrikë.

Miroğlu tha se qeveria turke dhe investitorët do të luajnë një rol të rëndësishëm për të ndihmuar Kenian për prioritetet e saj, si “Katërshja e Madhe”, të njoftuara nga presidenti Uhuru Kenyatta, që përfshijnë sigurinë ushqimore, mbulimin shëndetësor universal, strehimin e përballueshëm dhe ritjen e prodhimit.

Ambasadori turk beson se theksimi i këtyre sektorëve do të ofrojë perspektiva të reja për bashkëpunimin ekonomik midis dy kombeve vëllazërore.

“Turqia po ashtu sheh një potencial të madh në fushat e minierave, infrastrukturës, industrive të mbrojtjes, energjisë dhe investimeve”, tha ai, duke inkurajuar biznesmenët turq të investojnë më shumë në Kenia.

Sipas një ankete të lëshuar në muajin qershor nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kenia tejkaloi Angolën duke u bërë ekonomia e tretë më e madhe në Afrikën sub-sahariane, pas Nigerisë dhe Afrikës së Jugut.

Miroğlu tha se është i lumtur të dëshmojë interesin në rritje nga sektori privat i Turqisë për të bërë biznes dhe për të investuar në Kenia.

“Prania solide e ndërmarrjeve turke në Kenia dëshmon këtë fakt”, tha Miroğlu, duke përmendur si shembuj domethënës kompanitë e tilla si LC Waikiki, e cila operon në sektorin e veshjeve, FLO në sektorin e këpucëve, Doğtaş Kelebek Mobilya dhe İstikbal në sektorin e mobilieve.

Diplomati turk zbuloi se vitin e kaluar, Kenia u përfshi në listën e “vendeve me përparësi” të Ministrisë së Tregtisë së Turqisë, e cila beson se do të kontribuojë në zhvillimin dhe diversifikimin e tregtisë së tyre dypalëshe, e cila u ndikua në mënyrë negative për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Turqia gëzon marrëdhënie të mira dypalëshe me Kenian, pasi vendosi lidhje diplomatike me vendin në fund të vitit 1967 dhe hapi një ambasadë në vitin 1968.

Por marrëdhëniet morën një vrull mbi një dekadë më parë pas vizitave të nivelit të lartë nga të dy palët.

Në vitin 2009, presidenti i atëhershëm, Abdullah Gül, vizitoi Kenain dhe homologu i tij, Uhuru Kenyatta, u përgjigj duke vizituar Turqinë në vitin 2014. Kenyatta ishte presidenti i parë kenian që vizitoi Turqinë. 

Në vitin 2016, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, po ashtu vizitoi Kenian, ku ai nënshkroi disa marrëveshje për të përmirësuar biznesin dhe marrëdhëniet politike. 

Turkish Airlines forcon lidhjet

Gjatë bisedës, Miroğlu theksoi rolin e rëndësishëm që luan kompania ajrore Turkish Airlines në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe sociale midis Turqisë dhe Kenias.

“Përderisa përmend kompanitë turke në Kenia, do të doja në veçanti të theksoj Turkish Airlines. Që nga viti 2009, fluturimet e drejtpërdrejta midis Turqisë dhe Kenias kanë forcuar lidhjet tona ekonomike dhe shoqërore dhe i kanë afruar popujt tanë”, tha Miroğlu.

Ai theksoi se megjithëse Turkish Airlines ndaloi fluturimet për pasagjerët në Kenia midis 25 marsit dhe 1 gushtit të këtij viti nga shkaku i pandemisë, fluturimet e ngarkesave gjatë kësaj periudhe vazhduan, duke mbajtur lidhjet tregtare të paprekur.

“Me heqjen e ndalimit nga Kenia për udhëtimet ndërkombëtare, Turkish Airlines rifilloi fluturimet e pasagjerëve. Ne jemi të lumtur të shohim interesin në rritje për udhëtarët nga të dy vendet, veçanërisht duke kërkuar të vazhdohet biznesi”, tha ai.

Vëllimi i tregtisë midis dy vendeve është dyfishuar nga 52 milionë dollarë në vitin 2005 në mbi 140 milionë dollarë në vitin 2015.

Në vitin 2018, vëllimi i tregtisë midis Kenias dhe Turqisë arriti në 227 milionë dollarë, ndërsa në vitin 2019 ishte 235 milionë dollarë.

Disa nga mallrat që Turqia eksporton në Kenia përfshijnë pajisje shtëpiake, ushqime të përpunuara, materiale ndërtimi dhe hekur, ndërsa Kenia eksporton kryesisht produkte bujqësore në Turqi, përfshirë kafe, çaj dhe fruta të freskëta.

Turqia ofron bursa për studentët kenianë dhe siguron trajnime për burimet njerëzore të fuqisë punëtore të Kenias, përfshirë policinë dhe ushtrinë.



.. .

Ngjarja paraprake

Gjyshërit nuk vdesin kurrë. Ata thjesht bëhen të padukshëm

Ngjarja e ardhëshme

Përdoruesit e teknologjisë 5G konsumojnë 2.7 herë më shumë internet sesa ato 4G

të fundit nga