Turqia dënon sulmin ndaj anëtarëve të qeverisë në Jemen

Turqia dënoi sulmin e fundit ndaj anëtarëve të qeverisë së sapoformuar të Jemenit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne dënojmë me forcë sulmin e neveritshëm që ndodhi pasi aeroplani që transportonte anëtarët e qeverisë së re të Jemenit të kryesuar nga kryeministri Maeen Abdulmalik Saeed u ul në Aeroportin e Adenit”, tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë.

“Ne lutemi për mëshirën e Allahut mbi ata që humbën jetën në sulm, u përcjellim ngushëllimet tona njerëzve të Jemenit dhe u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve”, tha ministria.

Të paktën 13 njerëz u vranë dhe 65 u plagosën në tre shpërthime që tronditën Aeroportin Ndërkombëtar të Adenit në Jemenin jugor, në kohën kur kabineti i qeverisë së sapoformuar të Jemenit mbërriti në kryeqytetin e përkohshëm.

Qeveria e re akuzoi rebelët Houthi të mbështetur nga Irani.

Kabineti i ri i Jemenit u formua nën Marrëveshjen e Riadit të nënshkruar në nëntor të vitit 2019 nga qeveria e Jemenit dhe Këshilli i Përkohshëm Jugor, i cili mbështetet nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe kaosi që nga viti 2014, kur rebelët Houthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), konflikti në Jemen deri më tani ka marrë jetën e 233 mijë njerëzve.



.. .

Ngjarja paraprake

Futbollisti më i mirë në Kosovë, i jep sot fund beqarisë

Ngjarja e ardhëshme

Roma do të përpiqet që të transferojë gjashtë lojtarë

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian