Turqia dënoi dhunën kundër protestuesve në Mianmar

Turqia “dënoi fuqishëm” goditjen më të dhunshme të protestuesve pro-demokratik në Mianmar që regjimi ushtarak në pushtet bëri duke demonstruar fuqinë në Ditën e Forcave të Armatosura, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne dënojmë fuqishëm këtë dhunë të tepruar ndaj civilëve në Mianmar. Me këtë rast, ne përsërisim thirrjen tonë për t’i dhënë fund akteve të tilla kundër popullatës civile pa vonesë, lirimin e menjëhershëm të të gjithë liderëve të zgjedhur, personaliteteve politike dhe civilëve të cilët janë ndaluar, si dhe ndërmarrjen e hapave të nevojshëm drejt kthimit në demokraci”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.

Sipas raportimeve të mediave, grupeve vullnetare dhe dëshmitarëve të vrasjeve, më shumë se 140 persona u qëlluan për vdekje nga forcat e sigurisë.

“Ne ndjekim me shqetësim situatën ku Regjimi Ushtarak në Mianmar ka rritur edhe më tej përdorimin e forcës vdekjeprurëse kundër civilëve, duke injoruar thirrjet e komunitetit ndërkombëtar”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

Nga ministria gjithashtu thonë se janë “thellësisht të trishtuar” që numri më i lartë i vrasjeve të civilëve ndodhi në Ditën e Forcave të Armatosura, si rezultat i veprimeve të ndërmarra nga forcat e sigurisë.

Junta ushtarake e Mianmarit, në një mesazh televiziv mbrëmë paralajmëroi protestuesit për rrezikun e goditjes në kokë dhe nga mbrapa nëse vazhdojnë demonstratat kundër grusht shtetit.

Protestuesit, megjithatë, kundërshtuan kërcënimin e juntës dhe dolën në rrugë nëpër qytetet në të gjithë vendin, duke u përballur me shtypjen e dhunshme nga forcat e sigurisë.

Protestat filluan menjëherë pas 1 shkurtit kur ushtria rrëzoi dhe arrestoi lideren e zgjedhur në mënyrë demokratike të Myanmarit, Aung Suu Kyi.



.. .

Ngjarja paraprake

Kroacia mezi e mposhti Qipron

Ngjarja e ardhëshme

Jo televizor në dhomën e gjumit të fëmijëve

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian